Zgjedhjet, LSI: Objektivi ynë fitore e së majtës e progresistëve
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, u shpreh i sigurt dje në bashkëpunimin e së majtës pas zgjedhjeve për të nxjerrë në pension Sali Berishën. “Qëndrimi i LSI është në koherencë të plotë me të gjithë objektivat dhe veprimet e saj politike. LSI ka pasur objektiv të pandryshuar të saj fitoren e së majtës dhe progresistëve dhe nxjerrjen në pension politik të Berishës më 28 qershor dhe ka vepruar në funksion të këtij qëllimi”, tha Vasili. Sipas tij, LSI do të bëjë aleancë me PS-në pas zgjedhjeve. “LSI ka qenë e bindur në qëndrimin e saj se socialistët dhe progresistët do të fitojnë zgjedhjet e ardhshme dhe për rrjedhojë, nëse LSI do t’i duhet që të bëjë një aleancë politike natyrshëm do ta bëjë atë me Partinë Socialiste”, tha Vasili. Ai u shpreh se koalicioni i socialistëve do të zgjidhë hallet e vendit. “Koalicioni fitues i socialistëve dhe progresistëve pas 28 qershorit 2009, do të jetë demonstrim i solidaritetit dhe përgjegjësive të mëdha për zgjidhjen e problemeve të vendit dhe aspiratave të mijëra qytetarëve në luftë me varfërinë, sigurimin e një vendi pune dhe të drejtësisë sociale”, tha Vasili. Dy ditë më parë, Kryetari i LSI-së Ilir Meta u shpreh qartë se nuk përjashtohet bashkëpunimi me Partinë Socialiste pas zgjedhjeve të 28 qershorit, nëse LSI nuk arrin të fitojë e vetme. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së i kërkoi dje qeverisë të marrë të gjitha masat për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të bllokuara nga bora e ditëve të fundit. “Qeveria duhet të vërë në dispozicion mjetet e domosdoshme për të zgjidhur situatën dhe të mos presë përmirësimin pasiv dhe natyral të saj”, tha Vasili.