E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Elbasani do të bëhet një park industrial

Partia Demokratike prezantoi kandidatët e saj për Qarkun e Elbasanit në një miting madhështor. Kryeministri Sali Berisha, pasditen e djeshme në orën 19.00 ka premtuar se katër vitet e ardhshme qeveria e tij do të hapë 160 mijë vende të reja pune.

"Elbasani do të bëhet park industrial. Nuk u kërkojmë votën për çfarë kemi bërë, por për atë që do bëjmë", tha Berisha nga Elbasani. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se "i kërkoj Ramës duke respektuar socialistët të vihet në krye të listës se ka kohë akoma. Cili lider në Evropë e fut partinë e vet në zgjedhje dhe nuk pranon të kandidojë. Rama nuk do të kandidojë, sepse nuk do t‘i lërë karriget e lejeve të ndërtimit". Ndërsa në Elbasan, PD-ja zhvillon mitingun e radhës, në Tiranë është përshkallëzuar debati mes qeverisë dhe bashkisë. Kryeministri vuri në dukje se autonomia e pushtetit vendor është shumë e nevojshme, duke hedhur akuza ndaj Bashkisë së Tiranës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës, ku Eduard Shalsi ka bërë me dije se biznesi nuk e vuan taksën e bashkisë. "Biznesi vuan taksën e sheshtë të qeverisë. Me taksën e bashkisë gjelbërohen rrugët. Me taksën e qeverisë paguhen tabelat e fushatës", tha Shalsi. Kryeministri Sali Berisha u premtoi dje tregtarëve të tregut çam në Tiranë, se qeveria do të mbështesë financimin e projektit për ndërtimin dhe sistemimin e tregut çam. "Taksa e tabelës për bizneset do të përcaktohet me ligj dhe do të jetë vetëm 1 euro", tha Berisha. Kryeministri u ndal dhe bashkëbisedoi me tregtarët e këtij tregu, ku u njoh nga afër me problematikat e aktivitetit të tyre ekonomik. Përfaqësues të biznesit të vogël në këtë treg i shprehën shqetësimin Kryeministrit Berisha për rritjen e taksave vjetore nga bashkia e kryeqytetit, duke theksuar se këto taksa po rëndojnë dhe po bëjnë shumë të vështirë biznesin e tyre. Kryeministri Berisha u shpreh se "arroganca është tipari më i keq i një zyrtari dhe i siguroi biznesmenët se do të kenë mbështetjen totale të qeverisë së tij për sistemimin e këtij tregu dhe për ndërtimin e rrugës në këtë treg. I kërkova kryetarit të minibashkisë suaj, zotit Bogdani, të bëni bashkërisht projektin dhe ne do ta financojmë ndërtimin e këtij tregu, të cilin ju e meritoni plotësisht". Kryeministri vuri në dukje rëndësinë e madhe të biznesit të vogël në zhvillimin ekonomik të një vendi. Për këtë arsye, vijoi Kryeministri, "4 vite më parë premtuam përgjysmimin e taksës kombëtare për këtë biznes dhe e realizuam atë si një vendim shumë të rëndësishëm e të domosdoshëm". Kryeministri nënvizoi se ishte pikërisht politika e taksave të ulëta ajo që e ruajti Shqipërinë të paprekur nga kriza botërore ekonomike dhe që bëri që ndërkombëtarët të pohojnë se Shqipëria është e para për rritjen ekonomike në Evropë. "Kjo e detyroi qeverinë të ndërhyjë me një ligj të veçantë, duke sanksionuar se nuk ka taksë për ju mbi 10 për qind, taksë e përcaktuar nga qeveria me ligj. Nuk ka gjë më të rëndësishme se të punojmë për forcimin dhe zhvillimin e biznesit të vogël, sepse në çdo vend të zhvilluar të botës 70 për qind e të punësuarve janë nga ky biznes", u shpreh Kryeministri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›