Debate për matjen e kohës televizive
Bordi i Monitorimit të Medias, i ngritur pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është përfshirë në debate nëse duhet të vlerësohen si kohë fushate aktivitetet e Kryeministrit, të cilat janë të shoqëruara me logot dhe këngët e fushatës apo jo. Anëtarët e Bordit të Monitorimit të Medias kanë replikuar me njëri-tjetrin nëse koha televizive për ceremoninë e përurimit të tunelit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash duhet të konsiderohet "kohë qeveritare" apo jo. Në lidhje me këtë, tre anëtarët e Bordit, Iris Luarasi, Shyqyri Meka dhe Hamdi Jupe deklaruan se ceremonia e tunelit duhet konsideruar fushatë e Partisë Demokratike nisur nga fakti se ajo u shoqërua me flamuj të PD-së, me sloganin e fushatës së PD "Shqipëria po ndryshon". Është kërkuar që minutazhi i kronikave në dispozicion të çështjes së kartave të identitetit dhe segmentit rrugor Durrës-Kukës, të datës 31 maj 2009 të llogariten në veçanti dhe t‘i vihen në dispozicion Bordit të Monitorimit të Medias. Sipas pikës 8, paragrafi 2 i Nenit 84 për fushatën zgjedhore në radiot dhe televizionet private "reklamat e institucioneve publike llogariten në kohën e subjektit politik, të cilit i përket titullari i institucionit". Bordi i Monitorimit të Medias ka kërkuar që deklarimet e Ministrisë së Brendshme lidhur me të dhënat për procesin e aplikimit dhe prodhimit të kartave të identitetit të konsiderohen "kohë qeveritare".