PD: Socialistët mashtruan për arsimin
Selia blu reagoi ndaj deklaratave të Partisë Demokratike për arsimin. Dje, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, iu kundërpërgjigj anëtares së Kryesisë së PS-së, Ledi Shamku, duke i cilësuar trillime pretendimet e Partisë Socialiste. "Zëdhënësja e Edi Ramës, Ledi Shkreli alias Ledi Ndërtorja, doli, shpifi, trilloi dhe mohoi arritjet e arsimit mbi dyfishimin e buxhetit për arsimin, dyfishimin e rrogave të 44 mijë arsimtarëve të Shqipërisë që në datën 1 qershor e tutje marrin 2 herë më shumë se në 1 qershorin e 2005-ës, mohoi dyfishimin e numrit të studentëve, si dhe rindërtimin e ndërtimin e 1012 shkollave në mbarë vendin, arritje këto historike për arsimin në vendin tonë", tha Mëhilli. Sipas zëdhënëses së PD-së, "anëtarja e Kryesisë së SHPK-së socialiste, burri i së cilës së bashku me Alban Eftimin dhe Edi Ramën marrin 70% leje të ndërtimit në kryeqytet, kur mohon arritjet e arsimit fakton se është e zhveshur nga çdo gjë, për shkak të tregut të lejeve të ndërtimit që bën familjarisht". Duke iu referuar deklaratës për shtyp të PD-së, gjatë katër viteve të fundit është bërë pesë herë më shumë sesa ka bërë qeveria socialiste në tetë vjet.