Topi: Kosova, në projektet rajonale
Presidenti shqiptar, Bamir Topi, dhe homologu i tij maqedonas, George Ivanov, diskutuan dje mbi marrëdhëniet me Kosovën gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin-port të Durrësit. Gjatë bashkëbisedimit, kreu i shtetit shqiptar theksoi nevojën për përmirësim dhe arritjet e deritanishme në bashkëpunimin rajonal, si edhe klimën e re gjeopolitike të krijuar në rajon pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ajo është konfirmuar suksesshëm si një shtet multietnik i pavarur dhe vendet fqinje, ndaj, sipas Topit, duhet të ofrojnë një partneritet reciprok në fushën ekonomike dhe diplomatike. Më tej, kreu i shtetit kërkoi që autoritetet kosovare të integrohen në forumet rajonale me projekte të përbashkëta, pasi kjo do t‘i shërbente rritjes së mëtejshme të frymës së bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, me synim integrimin e përbashkët në strukturat euroatlantike dhe familjen e madhe evropiane. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë njohën një ftohje pas anulimit të vizitës që ishte parashikuar të bënte në këtë vend Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu, për shkak të ndryshimit të përcaktimit që shteti maqedonas i bëri vizitës së tij, duke e klasifikuar nga një vizitë zyrtare, në një vizitë pune. Shkupi zyrtar pati deklaruar se ky vend nuk mund t‘i ofronte Sejdiut tapetin e kuq, ndërsa Kosova nuk është ende një vend i stabilizuar plotësisht nga ana diplomatike. Kjo deklaratë krijoi një çarje në marrëdhënien mes dy vendeve, të cilën Presidenti Topi është përpjekur ta mbyllë gjatë takimit të djeshëm në Durrës. Takimi mes tyre u zhvillua me kërkesë të Presidentit Ivanov, i cili po kalon transit në vendin tonë për të marrë pjesë në Forumin Rajonal për Korridoret Kulturorë në Evropën Juglindore "Administrimi i shumëllojshmërisë kulturore dhe promovimi për qëllime turistike", që do të zhvillohet të mërkurën në Cetinjë të Malit të Zi. Dy homologët kanë vlerësuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe kanë shprehur vullnetin politik për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve në të gjitha sferat dhe një angazhim të përbashkët në interes të proceseve rajonale të integrimit. Dita e djeshme për kreun e shtetit ka qenë e ngarkuar, pasi më herët ai ka pritur në ambientet e Pallatit të Brigadave, kryetarin e Gjykatës së Kasacionit të Republikës Italiane, Vinçenco Karbone dhe delegacionin që e shoqëronte. Tema e bisedës mes tyre është përqendruar te pavarësia e sistemit gjyqësor si një hallkë e rëndësishme për mbarëvajtjen e shtetit.
Kreu i shtetit nënvizoi rëndësinë që ka pavarësia dhe paanshmëria e pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të tij në vendin tonë, si dhe puna e profesionalizmi i juristëve, të cilët, duke kryer me dinjitet, kurajë civile dhe paanshmëri detyrat institucionale, kontribuojnë thellësisht në forcimin e shtetit të së drejtës. Topi vlerësoi gjithashtu kontributin dhe përvojën e institucioneve gjyqësore italiane në reformimin dhe përmirësimin e drejtësisë shqiptare. Sakaq, kryetari i Gjykatës së Kasacionit të Italisë garantoi përkrahje e mbështetje maksimale në forcimin e sistemit të drejtësisë shqiptare. Në këtë kuadër, theksoi zoti Karbone, janë shumë të vyera vizitat e ndërsjella mes drejtueseve të institucioneve homologe të drejtësisë, si dhe shkëmbimi e ndarja e vazhdueshme e përvojës pozitive.