E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pajisje verifikimi për letërnjoftimet"

Afrimi i datës së zgjedhjeve parlamentare shton ankthin e opozitës nëse ato do mund të jenë sipas standardeve, duke lënë mënjanë manipulimet. Ky shqetësim është ngritur sërish dje nga selia rozë nëpërmjet sekretarit për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj. Sekretari socialist, në një konferencë për shtyp, në emër të PS-së, i kërkoi KQZ-së që të verifikojë saktësinë dhe vërtetësinë e dokumenteve të identifikimit që do të përdoren për zgjedhjet e 28 qershorit. Për ta bërë këtë, Partia Socialiste i sugjeron KQZ-së krijimin e mundësive teknike për komisionet zgjedhore në lidhje me verifikimin e vlefshmërisë së kartave të identitetit. Xhafa theksoi se në praktikën konkrete të përditshme është vënë re dhe është deklaruar edhe publikisht nga drejtori i përgjithshëm i Gjendjeve Civile, Armand Teliti, se është e pamundur që komisionerët e qendrave të votimit të verifikojnë vërtetësinë e këtyre dokumenteve. Sipas deputetit socialist, verifikimi i saktësisë dhe autenticitetit të dokumenteve të identifikimit që do të përdoren në procesin e votimit bëhet edhe më tej i domosdoshëm në kushtet kur raportohen pasaktësi në mbushjen e tyre dhe mundësi të aplikimit më shumë se një herë të një shtetasi. "Nisur nga eksperienca në vende të tjera ku në qarkullim janë gjendur edhe letërnjoftime elektronike të falsifikuara, nevoja për përdorimin e pajisjeve që do të bënin dallimin mes dokumenteve të saktë, prodhuar dhe shpërndarë nga kompania "Aleat" dhe atyre të falsifikuar, bëhet emergjente", u shpreh Xhafaj. Ai ngulmoi se do t‘i drejtohet KQZ-së si institucioni përgjegjës përballë ligjit për administrimin, drejtimin dhe kontrollin e procesit parazgjedhor dhe atij zgjedhor, që të shqyrtojë dhe të vendosë për krijimin e mundësive teknike për komisionet zgjedhore (KQV) për verifikimin e vlefshmërisë së kartave të identitetit. Zgjidhja e këtij problemi, sipas PS-së, realizohet nëpërmjet pajisjes së komisioneve qendrore vendore me nga një pajisje të posaçme verifikimi të letërnjoftimeve elektronike. Xhafa nënvizoi se Partia Socialiste beson se një vendim i tillë do të shërbejë si një garanci e domosdoshme për t‘i prerë rrugën çdo lloj tentative manipulimi të mundshëm gjatë procesit të votimit me përdorim të kartave të rreme. Për socialistët, nëse do të realizohej kjo kërkesë atëherë do të shmangen dukuritë e përsëritura në proceset e mëparshme zgjedhore të votimit me certifikata të falsifikuara. "Në kushtet e mungesës së kontrollit të tyre në KQV, do të shmangeshin në maksimumin e mundshëm me marrjen e një vendimi të tillë nga ana juaj", thotë PS. "Opozita çmon se kjo është një kërkesë plotësisht e realizueshme dhe tërësisht e legjitimuar, e cila do të ndikojë pozitivisht në rritjen e besimit në procesin e votimit më 28 qershor 2009", u shpreh më pas Xhafa në deklaratën e tij. PS i ka kujtuar KQZ-së se në funksion të detyrës kushtetuese e ligjore që ka ky institucion për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve, besimi i palëve në këtë proces është thelbësor dhe garanci paraprake për vetë suksesin e procesit.

Në vlerësimin e PS-së, kjo kërkesë duhet të konsiderohet nga KQZ, si një nevojë e domosdoshme që duhet adresuar pozitivisht me qëllim mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme. Për shqetësimin e saj, selia rozë ka vënë në dijeni edhe institucionet ndërkombëtare të akredituara në vend, si prezencën e OSBE-së dhe ODIHR-in.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›