E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Energjia e rinovueshme, Shqipëria ka burime të pashfrytëzuara

01-02-2012 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë fton investitorët të shohin me përparësi investimet në fushën e energjisë, pasi sipas tij, Shqipëria ka rezerva ujore të mjaftueshme si dhe favorizohet nga pozicioni strategjik në tregun e energjisë

Energjia ishte kryefjala e kryeministrit Sali Berisha në Workshopin e organizuar në Tiranë nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE). Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria ofron mundësi të mëdha për investime në fushën e energjisë, pasi burimet ujore janë të pashfrytëzuara si dhe nisur nga pozicioni gjeografik i favorshëm për tregun energjetik. “Energjia është një përparësi madhore pasi Shqipëria ka burime të mëdha të pashfrytëzura të energjisë së rinovueshme. Ky vend është i bekuar plot ujë dhe me një reliev të tillë që i bën këto ujëra shumë efiçente në prodhimin e energjisë. Është një vend me pozicion gjeorgrafik të shkëlqyer përballë tregut më të uritur në Europë siç është Italia”- u shpreh Berisha. Kryeministri garantoi edhe liberalizimin e tregut si kusht i suksesit dhe zhvillimit ekonomik të vendit. “Liberalizimi i tregut është kusht i të gjitha kushteve për zhvillimin në këtë sektor, ne nuk kemi frikë nga liria, ne i besojmë asaj dhe jemi të bindur se sa më shumë të zgjerojmë hapësirat e saj në të gjitha fushat e jetës, por veçanërisht në ekonomi, aq më i qëndrueshëm do të jetë zhvillimi i ekonomisë dhe aq më të sigurta do të jenë investimet e huaja”- tha ai. Berisha theksoi se qeveria do të jetë shumë e ndjeshme dhe do të bëjë gjithçka për realizimin e praktikave më liberale. “ERE dhe Parlamenti dhe qeveria janë të vendosur të marrin të gjitha hapat për të vendosur standardet më liberale të tregut energjetik”, theksoi shefi i qeverisë. Ndërkaq, kryeministri solli në vëmendje se një nga kriteret për të arritur sukses në zhvillimin ekonomik të vendit, është edhe dixhitalizimi i sektorit të energjisë. “Nëqoftëse energjia përbën dhe faktorin më kryesor të zhvillimit të degëve të tjera të ekonomisë, dixhitalizimi i saj do të ishte truri i këtij sistemi dhe do të jepte të shfrytëzoheshin të gjitha hapësirat e liberalizimit të tregut”. Kryeministri deklaroi më tej se “energjia është një nga mundësitë e para dhe të mëdha për ta shndërruar vendin në një vend të bazuar në energjinë e rinovueshme, dhe sipas tij besohet universialisht se ka epërsi në qëndrueshmërinë e zhvillimit në raport me energjitë e tjera”. “Për këto arsye qeveria shqiptare është përqendruar në këtë fushë dhe mendoj se një hark kohor 3-vjeçar ia doli të ndezë një garë të paprecedentë në historinë e një vendi. Investimet në këtë fushë po rriten me shpejtësi, janë investuar 650 milionë euro, miliarda të tjera janë në investim në vitet që vijnë, në spektrin e tyre 300 hidrocentrale të shtrira në mbarë vendin, ka fare të vogla, por ka dhe projekte ndër më të mëdha në Evropë si ai i kaskadës së Devollit”- u shpreh ndër të tjera, kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›