Berisha: Eshtë blokuar procesi i legalizimit

13/05/2005 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pritur dje një delegacion të përfaqësuesve të Kongresit të Autoriteteve Rajonale të BE. Pas takimit, kreu demokrat tha se i njohu përfaqësuesit e këtij organizmi për problemet që i dalin pushtetit lokal në Shqipëri, si pasojë e bllokimit të procesit të decentralizimit. Berisha i është rikthyer edhe një herë akuzave ndaj kryetarit të Bashkisë, Edi Rama, i cili, sipas kreut demokrat, po e përdor institucionin e tij për të pastruar para të pista. “Me përfaqësues të Kongresit të Autoriteteve të Autonomisë Rajonale të Europës diskutuam lidhur me procesin e decentralizimit në Shqipëri. I njoha me programin e Partisë Demokratike dhe konsensusin e saj për decentralizimin dhe me pengesat që ekzistojnë për decentralizimin ne Shqipëri. Veçanërisht folëm për Tiranën, ku kryetari i Bashkisë është njëkohësisht dhe shtylla kryesore e krimit të organizuar dhe larjes së parave të pista të Shqipërisë dhe në Ballkan dhe që bllokon të gjitha minibashkitë me konceptet e veta të qeverisjes në tërësi”, tha Berisha. Sipas tij, PS nuk ka plotësuar asnjë prej zotimeve të marra për decentralizimin, duke bllokuar këtë proces që kreu demokrat e konsideroi si jetik për vendin. Ndërkohë, dje, në orët e mbasdites kryetari i PD-së, Berisha, zhvilloi një takim me banorët e zonës 36, ku u prezantua dhe kandidati për deputet në këtë zonë, Shaban Memia. Në zonën numër 36, përballë Shaban Memisë, kandidon drejtori i KESH, Andis Harasani. Gjatë fjalës së tij, Berisha ftoi edhe elektoratin e kësaj zone të votojë për kandidaturën e Memisë, si ndëshkim ndaj errësirës dhe vjedhjes qeveritare, por edhe si ndëshkim ndaj drejtorit të KESH, i cili, sipas Berishës, vjedh çdo ditë qytetarët me anë të faturave të energjisë. Përpara fillimit të aktivitetit, mësohet se ka pasur një përplasje mes kandidatit të PD, Shaban Memia dhe Policisë Bashkiake. Kjo e fundit ka penguar kandidatin e PD-së të vendosë posterat, të cilët njoftonin banorët e kësaj zone për aktivitetin. Për këtë veprim, Memia ka akuzuar krerët e bashkisë së kryeqytetit se po përdorin pushtetin në favor të rivalit të tij socialist.