E Hënë, 2 Nëntor 2026

UEFA nis inspektimin në Shqipëri

13/05/2005  “Ruzhdi Bizhuta” dhe “Roza Haxhiu”, dy stadiumet që kaluan në “skanerin” e inspektorit të UEFA-s

Afrimi i ndeshjeve të kupave të Evropës ka detyruar “qeverinë” evropiane të futbollit, UEFA-n, të inspektojë nga afër dy prej stadiumeve të Shqipërisë, të cilët do të përdoren për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Një gjë e tillë është bërë e ditur dje në Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila shtoi se pas inspektimit të dy stadiumeve, inspektori i lartë i UEFA-s do të përgatisë një raport për dy fushat dhe më pas do të vendoset, nëse ato do të marrin licensën ndërkombëtare apo jo. Në prag të nisjes së ndeshjeve të kupave të Evropës, UEFA ka dërguar në Shqipëri inspektorin Heinz Faulhner, për të vizituar fushat e “Ruzhdi Bizhutës” së Elbasanit dhe “Roza Haxhiun” e Lushnjes, ku pritet të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare gjatë këtij sezoni. “Në prag të kompeticioneve për Kupat e Evropës, organizmi më i lartë i futbollit evropian, UEFA, ka dërguar në Shqipëri një prej anëtarëve të Komisionit të Stadiumeve dhe Terreneve, z.Heinz Faulhner, për të vëzhguar nga afër dy stadiumet që priten të licensohen për kompeticionet ndërkombëtare”, thuhej dje në faqen në internet të FSHF-së. Gjatë ditës së djeshme, Faulher, i shoqëruar edhe nga shefi i Sektorit të Licensimeve në FSHF, Kreshnik Agolli, ka parë nga afër fushat e Lushnjes dhe Elbasanit, ku ka kontrolluar gjendjen aktuale të të dy stadiumeve. Zyrtari i UEFA-s ishte mjaft rigoroz gjatë këtij kontrolli dhe pas tij do të përgatitet një raport i posaçëm, drejtuar Komisionit të Stadiumeve dhe Terreneve, që do të japë licensën këtyre dy stadiumeve. “Ky kontroll, sipas vetë z.Fauhlner është mjaft rigoroz duke parë nga afër çdo ambient të stadiumeve. Pas kontrollit dhe evidentimit të dy stadiumeve në fjalë, z.Fauhnler do të përgatisë një raport të posaçëm në komisionin, ku ai vetë është anëtar dhe më pas do të jetë Komisioni i Stadiumeve dhe Terreneve, që do të japë licensën dhe konfirmimin që dy stadiumet "Ruzhdi Bizhuta" dhe "Roza Haxhiu" janë të gatshëm për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare”, thuhet më tej në njoftimin e FSHF-së. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur pak kohë më parë që ndeshja e U-21, mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, të luhet në fushën “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit, e cila falë edhe presidencës së klubit është përmirësuar shumë kohët e fundit. Inspektori i UEFA-s, Heinz Faulhner, nuk vjen për herë të parë në Shqipëri. Ai ka qenë në vendin tonë edhe 35 vjet më parë, kur ishte gjyqtar anësor në ndeshjen e Champions League, mes 17 nëntorit dhe Ajaksit të Amsterdamit që përfundoi 2-2.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›