E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Kosovë, Berisha: Testi i shtetit të pavarur



Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje qytetarët, qeverinë, forcat politike dhe institucionet e Kosovës për zgjedhjet vendore, të cilat, sipas tij, ishin një test i madh i shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës. Ai vlerësoi mënyrën e qytetëruar të zhvillimit të tyre, e bazuar kjo në raportet e mediave kombëtare dhe ndërkombëtare. “Dëshiroj të uroj të gjithë ata që dolën fitues në këto zgjedhje, por një gjë është e sigurt, se më i fituari në këto zgjedhje është qytetari i Kosovës, sepse vendi i tij, sistemi i tij kaloi me sukses provën e parë të madhe, atë të zgjedhjeve të mira dhe lira”, - deklaroi z. Berisha. Ai shtoi se për hir të së vërtetës, në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve ishin përqendruar mediat më të mëdha të botës, mediat e mëdha të vendit, por edhe institucione ndërkombëtare. Zhvillim pozitiv në këto zgjedhje ishte se pjesëmarrja e serbëve ishte më e lartë se në çdo proces tjetër, por edhe vetë pjesëmarrja në këtë proces zgjedhor ishte më e larta e regjistruar ndonjëherë në zgjedhjet vendore në Kosovë. Berisha përmendi se natyrisht, përveç tri komunave që i mbajnë peng qarqet nacionaliste të Beogradit, komunat e tjera serbe që shtrihen nën veriun e Mitrovicës, kanë marrë pjesë duke dëshmuar vullnetin e tyre për të ndërtuar jetën dhe të ardhmen në Kosovën e pavarur, aty ku kanë shtëpinë e tyre, ku kanë tokën, ku kanë jetesën e tyre dhe ndërtojnë të ardhmen. “Kështu, në këtë festë Kosova bëri investimin e parë të saj të madh në drejtim të proceseve integruese euroatlantike dhe evropiane. Kjo ishte dëshmi e një serioziteti të madh dhe përkushtimi të veçantë ndaj vlerave”, - u shpreh z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›