Investimet, CEZ prezanton tek Berisha planin 2-vjeçar
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, kompania CEZ, i prezanton Kryeministrit Sali Berisha planin 2-vjeçar të investimeve. Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim pune me nënkryetarin e Bordit të Drejtorëve të CEZ grup, z. Tomas Pleskac. Në emër të bordit të kompanisë CEZ, zoti Pleskac i shprehu Kryeministrit Berisha përgëzimet për ambientin e krijuar në favor të biznesit, si dhe për frymën e lartë të bashkëpunimit mes qeverisë dhe kësaj kompanie. Zoti Pleskac tha se si investues strategjik, kompania CEZ është e përkushtuar të kontribuojë në zhvillimin e tregut shqiptar dhe të ofrojë shërbime me cilësi evropiane për klientët shqiptarë. Ai u shpreh se qëllimi i veprimtarisë së kësaj kompanie në Shqipëri zhvillohet sipas parimit të përfitimit të dyanshëm, të konsumatorëve shqiptarë dhe kompanisë. Në këtë kontekst, nënkryetari i Bordit të Drejtorëve të CEZ grup, zoti Tomas Pleskac, theksoi se kompania ka një plan ambicioz investimesh për vitin 2009-2010, i cili do të jetë rreth 8 miliardë lekë. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i falënderoi përfaqësuesit e grupit CEZ dhe shprehu besimin se kjo kompani prestigjioze do të përmirësojë dukshëm menaxhimin e sistemit të shpërndarjes si dhe shërbimet ndaj konsumatorëve. Kryeministri i garantoi ata për transparencë dhe përkushtim nga ana e qeverisë shqiptare për realizmin e planeve të tyre në dobi të shqiptarëve. Ndër të tjera, Kryeministri shprehu besimin që bashkëpunimi i qeverisë shqiptare dhe i Entit Rregullator, ERE, do të jetë gjithmonë transparent, profesional dhe në përfitim dypalësh, si dhe modeli i tregut i prezantuar në këtë sektor do të vazhdojë të mbështetet dhe të përmirësohet më tej. Duke sugjeruar që investimeve në Shqipëri u duhet dhënë nxitje për t’i zhvilluar më tej, Kryeministri u shpreh se konsumatorët në nevojë do të ndihmohen në mënyrë më efektive nëpërmjet skemave sociale që do të zbatohen nga qeveria. Përfaqësuesit e CEZ-it e siguruan Kryeministrin Berisha se do të vazhdojnë investimet për zvogëlimin e humbjeve, përmirësimin e shërbimit, duke mbajtur parasysh edhe nxitjen e biznesit për investime në Shqipëri.