Rrogat e larta, Berisha: Shpërblime mujore në vend të rritjes
Nga buxheti i vitit 2010 do të përfitojnë një rritje të ndjeshme pensionet, pagat e ulëta dhe të mesme, ndërsa prokurorët dhe gjyqtarët që paguhen sa një ministër do të marrin shpërblime mujore. Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PD-së i kushtoi vëmendje sërish buxhetit, duke u ndalur tek shkurtimi me 30 për qind i shpenzimeve dhe rritjen e të ardhurave në një kohë krize për botën perëndimore. “Derisa të votohet në Parlament, kryefjala e të gjitha takimeve tona do të jetë buxheti. Para se të ndalem tek buxheti, në emrin tuaj, në emër të qeverisë dhe të shqiptarëve, dua të përshëndes me përzemërsinë më të madhe qytetarët e Kosovës, qeverinë, forcat politike dhe institucionet e Kosovës për zgjedhjet vendore që u zhvilluan dje, të cilat ishin një test i madh i shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës”, - theksoi kreu i qeverisë. Sipas Kryeministrit, buxheti i 2010-s ka një shkurtim prej 30 për qind të shpenzimeve operative të administratës së këtij vendi. Z. Berisha vuri në dukje: “Në ndërtimin e buxhetit dhe buxheti ndërtohet në një kohë krize, në një kohë kur kriza financiare dhe ekonomike botërore ka pasur ndikimin e vet në mbarë botën, ka pasur ndikimin e saj dhe në Shqipëri, por në strukturën dhe në parametrat e tij është buxheti i një kuraje mjaft të madhe. Ne kemi parashikuar një rritje prej 12 për qind të të ardhurave”, - tha më tej Berisha. Berisha ka folur para deputetëve edhe për rritjen e rrogave, ku, sipas tij, ka ndjekur një praktikë të drejtë, me rritjen e rrogave të ulëta dhe të mesme, ndërsa nuk u rritën rrogat e larta. “Kjo praktikë dëmtoi disa sektorë, të cilët me ligj, rrogën e mesme e kishin të lidhur me rrogën e lartë, ndaj do të gjendet në të gjitha mënyrat që sistemi gjyqësor, organet e prokurorisë, të cilat nuk kanë përfituar shkallën e rritjes së rrogave të administratës, në dialog të plotë dhe duke respektuar tërësisht frymën e ligjit, të mund t’u gjendet edhe atyre një zgjidhje, pasi ligji i tyre kalon me 3/5-at. Ministria e Financave dhe ministritë përkatëse duhet të gjejnë mënyrën që atyre t’u jepet një shpërblim mujor më i merituar dhe i zgjidhur nga rroga e gjykatësit kryesor, pasi gjykatësi kryesor ka rrogën e ministrit”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri përmendi një moment shumë të vështirë në këtë buxhet, qëndrimin ndaj rrogave dhe pensioneve. Ai përmendi se në mbarë Evropën, viti 2009 u karakterizua nga ulje me vendim të rrogave dhe pensioneve në shumicën dërrmuese të ish-vendeve komuniste, por edhe në vende të tjera. “Edhe neve na u këshillua muaj më parë, në fillim të vitit, që të mos parashikonim rritje rrogash dhe pensionesh në vitin 2009”. Sipas tij, ky parashikim nuk bazohej në asnjë keqdashje, as ndaj nesh si qeveri dhe as ndaj shqiptarëve, por bazohej në parashikimet, sipas të cilave, do të ishte e pamundur të realizohej dhe e dëmshme. “Dhe në fakt, duhet ta pranojmë se ky qëndrim bazohej në parashikimet pesimiste që diktoheshin nga kriza, pasi ekonomitë e vendeve ish-komuniste, nga Lituania, Letonia, te Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Serbia e me radhë, që të gjitha u zhytën në minus për sa i përket rritjes ekonomike”, - u shpreh z. Berisha.