Berisha: Fajtorët e Gërdecit? Vendos gjykata
Kryeministri Sali Berisha u takua me banorë të bashkisë së Vorës në qarkun e Tiranës, ku theksoi se në këto 4 vite qeveria e djathtë ka investuar 38 herë më shumë se qeveria socialiste, por pa llogaritur zonën e dëmtuar të eksplozionit në fshatin Gërdec. Sipas tij ajo që ndodhi në Gërdec ishte një tragjedi e madhe për popullin shqiptar dhe nuk duhej të kishte ndodhur, duke shtuar se qeveria qendrore dhe ajo vendore kanë bërë çështë e mundur që kjo zonë të rikthehet siç ka qenë më parë, por ka harruar që të flasë për ata që humbën jetën të cilët nuk mund të kthehen më.
Ndër të tjera Berisha theksoi se të gjithë përgjegjësit realë të kësaj tragjedie do të dalin para gjykatës dhe do të jetë ajo që do të thotë fjalën e fundit. Qeveria qendrore dhe ajo vendore bënë çdo përpjekje për ta ndërtuar atë zonë, ashtu siç ajo është tani. Drejtësia do të thotë fjalën e fundit, theksoi Berisha. Gjithashtu ai theksoi se ajo që i kishte bërë më shumë çudi gjatë kësaj kohe ishin socialistët, të cilët në një debat televiziv brohorisnin emrin e Gërdecit, edhe pse kjo ishte një ngjarje e rëndë që kishte ndodhur për banorët e zonës dhe gjithë popullin shqiptar. Me këta 99-ça që u lejojnë vetes të bërtasin për shpirtrat e të vdekurve unë i them Edi Ramës është pa moral njerëzor, është më lakuriq se kurrë ndonjëherë. Me Edi Ramën iu ndajnë 1 mijë e një gjera dhe nuk u bashkojnë asgjë, deklaroi Berisha. Ndër të tjera ai përmendi dhe investimet e bëra gjatë këtyre katër viteve të qeverisjes së tij në bashkinë e Vorës. Kemi asfaltuar 26 kilometra rrugë, ndërtuar 10 ujësjellës, tre shkolla, dhe kemi rindërtuar rrjetin energjetik të zonës, tha Berisha. Ai ju premtoi banorëve të zonës se në katër vitet e ardhshme qeveria e tij do të financojë çdo projekt të bashkisë, e cila do të përmirësojë jetën e banorëve dhe do të krijonte mundësinë që të punësoheshin sa më shumë persona në firmat e huaja të cilat do të investojnë në Vorë, dhe informoi banorët e Vorës se këto ditë do inaugurohet by pass-i i këtij qyteti. Në katër vitet e ardhshme, Vora do të urbanizohet tërësisht. Do të asfaltohet çdo pëllëmbë rrugë, do të subvencionohet mbjellja e çdo rrënje ulliri dhe do të financohet çdo projekt i fermerëve për nxitjen e prodhimit bujqësor, premtoi Berisha. Në përfundim të fjalës së tij Berisha i ftoi qytetarët e Vorës që ti bashkohen projektit të madh, i cili flet për Shqipërinë evropiane. "Ky projekt është një projekt i mahnitshëm që do të thotë rritje pensionesh dhe rrogash, urbanizim i plotë i Vorës dhe mbarë Shqipërisë, infrastrukturë moderne", përfundoi Berisha.