E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha premton lëvizje pa viza gjatë mandatit të dytë qeverisës

Kryeministri Sali Berisha njëkohësisht dhe lideri i Partisë Demokratike vijoi mitingun elektoral në qytetin e Mamurrasit, ku ju premtoi banorëve të këtij qyteti lëvizjen e lirë në Evropë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Dua të shpreh kënaqësinë e madhe që takohemi sot këtu qytetarë të një vendi anëtar të NATOS. Takohemi sot në këtë shesh si qytetarë të një vendi që brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë do të lëvizë i lirë në mbarë Evropën, pa viza, u shpreh Berisha. Ai i bëri një rezyme punës së tij gjatë mandatit të parë, ku theksoi se në katër vitet e para të qeverisjes së tij u dyfishin pensionet e qytetarëve të Mamurrasit dhe të gjithë Shqipërisë, duke shtuar se gjatë këtij mandati qeveria e tij arriti që ndërtojë në Shqipëri mbi 5900 km rrugë, ndër të cilat rrugën Durrës-Kukës-Morinë. Ai ju premtoi qytetarëve të Mamurrasit, se në katër vitet e ardhshme ky qytet do të shndërrohet në një qytet Evropian, dhe se në katër vitet e ardhshme Mamurrasit dhe banorëve të tij do ju sigurohej 24 orë ujë i pijshëm. Berisha tha se gjatë mandatit të dytë të qeverisë së tij qeveria e tij ka përgatitur një projekt, i cili do ju sigurojë shqiptarëve rritjen akoma dhe më tej të pensioneve dhe të rrogave. Sipas tij një projekt i veçantë është hartuar edhe për bujqësinë e cila do të ndihmohet nga shteti. Fermerë të Mamurrasit ju premtoj se qeveria ime do të financojë çdo projekt tuajin për rritjen e prodhimit në frutikulturë dhe në bimë arash. Ne do të subvencionojmë të gjitha imputet dhe akcizën e naftës për çdo  sipërfaqe të mbjellë. Do të krijojmë hapësira të mëdha për tregun, do të nxisim agrobiznesin. Rritja e  madhe e prodhimit bujqësor është një nga qëllimet tona më madhore të projektit tonë, theksoi Berisha. Gjithashtu ai foli dhe për punësimin në vend, i cili sipas tij do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë së tij. Punësimi është kryefjala e programit tonë të ardhshëm. Në 4 vjet ne do të garantojmë punësimin  e 160 mijë qytetarëve shqiptarë. Ne kemi të gatshme për investime mbi 6 miliard euro, në 104 HEC, në 4 parqe energjetike, në 6 parqe industriale, në mijëra e mijëra kilometra rrugë, në porte, aeroporte, shkolla, kanalizime që do të ndërtohen në 4 vitet që vijnë, u shpreh Berisha. Ai ju bëri thirrje banorëve të Mamurrasit që në 28 qershor të votojnë Partinë Demokratike, me qëllimin që në katër vitet e ardhshme të vazhdojë puna e nisur nga kjo qeveri. Sot vij tek ju për të kërkuar besimin tuaj, votën tuaj. 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë së bashku Mamurrasin evropian, Shqipërinë evropiane, kërkoj votën tuaj, për të dhënë pamjen tërësore evropiane vendit. 28 qershori po afron, thirrja ime vëllazërore për ju është që të gjitha ata që nuk kanë marrë letërnjoftimet dhe nuk kanë pasaporta, sot dhe nesër, të marrin letërnjoftimet dhe pasaportat. Thirrja ime për ju është që në 28 qershor të dalim të gjithë në votime,të votojmë në mënyrën më të qytetëruar, theksoi Berisha.  Ai tha se në 28 qershor do të jenë 500 vëzhgues nga mbarë bota, dhe ju kërkoi banorëve të Mamurrasit që të merrnin pjesë në votime sepse kjo do të ishte për të mirën e Shqipërisë, ku sipas tij këto zgjedhje janë një provë e madhe për tu kaluar, zgjedhje të cilat do ta afronin edhe më shumë Shqipërinë me Bashkimin Evropian. Berisha sulmoi edhe një herë liderin socialistëve Edi Rama, duke thënë se e vërteta se përse nuk pranoi të vihej lideri i socialistëve në krye listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit, vjen për faktin se Rama nuk është i aftë për të drejtuar shtetin dhe qeverinë e ardhshme shqiptare. E vërteta me Edi Ramën është se ai nuk pranon të vendoset në krye të listës, ai nuk ka asgjë të përbashkët me ju, ai  ju ka zëvendësuar ju me 99-shat e tij, ju ka zëvendësuar me ata, me të cilët ndal lejet e ndërtimit, përfundoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›