Berisha fton socialistët e Sukthit ti bashkohen PD
Kryeministri Sali Berisha është takuar me banorët e bashkisë së Sukthit në rrethin e Durrësit, ku ftoi simpatizantët e Partisë Socialiste që të bashkohen me PD. Berisha theksoi se nuk duhet të votojnë për një parti të cilën e ka braktisur kryetari, I cili partinë e çoi në betejë dhe vetë u fsheh poshtë tavolinës, duke shtuar se kreu socialist u bashkua me G99, të cilët sipas tij janë një lloj kameleoni pa ngjyrë, ose ngjyra e të cilëve ka ngjyrën e lejeve të ndërtimit.
Ndër të tjera ai ju premtoi banorëve të Sukthit se në katër vitet e ardhshme kjo zonë do të shndërrohet në një zonë të urbanizuar Unë ju premtoj në se katër vitet që vijnë bashkia e Sukthit do të ketë urbanizim total dhe do të furnizohet 24 orë me ujë. Ashtu siç kemi lënë prapa terrin energjetik, ashtu do të furnizojmë 24 orë me ujë qytetarët shqiptarë, theksoi Berisha. Gjithashtu ai siguroi fermerët e Sukthit se qeveria e tij do ti subvencionojë ata për nxitjen e prodhimit bujqësor. Ndërsa ju kërkoi votën banorëve të Sukthit Berisha deklaroi se qeveria e tij është qeveria e premtimeve të mbajtura. Ne në mandatin e parë qeveria e tij e futi Shqipërinë në NATO, ndërsa në mandatin e dytë qeveria e tij do ta fusë Shqipërinë në familjen e madhe evropiane, përfundoi Berisha.