E djathta Europiane mbështet PD, 40 kamionçina reklamojnë nëpër Shqipëri arritjet e Berishës
40 kamionçina me postera shëtitës kanë mbërritur në portin e Durrësit, si mbështetje e Partive të djathta evropiane për fushatën e Partisë Demokratike. Majlinda Bregu, ministre e Integrimit, e cila kishte ardhur në portin detar së bashku me deputetin Tritan Shehu u tha gazetarëve se ky është një tregues i qartë i mbështetjes së plotë të partive popullore të djathta evropiane për Partinë Demokratike në prag të zgjedhjeve parlamentare. Bregu shtoi se PDSH është pjesë e së djathtës evropiane. Sipas saj 24 vende të Evropës sot drejtohen nga kryeministra dhe qeveri të djathta.
Partia Demokratike edhe në këtë katërvjeçar do të jetë pjesë e fituesve të së djathtës në Evropë. Vota djathtas në Evropë do të jetë votë djathtas edhe në Shqipëri-përfundoi Bregu. Koordinatori i Partive popullore evropiane, Mirko Beloti tha se ky është një raport i një lloji i veçantë. Partia demokratike dhe lideri i saj Berisha është një partner i rëndësishëm i partive tona, theksoi Beloti. Kamionçinat që mbërritën me tragetin e kompanisë Tirrenia u nisën më pas të shoqëruar nga një grup të rinjsh drejt kryeqytetit. Nga porti i Durrësit, ministrja e integrimit Majlinda Bregu ka ripërsëritur premtimin se shqiptarët do të lëvizin pa viza vitin e parë të mandatit të dytë të demokrateve. Ajo ka thënë se shqiptarët do të votojnë të djathtën me 28 qershor, ashtu si Evropa e cila tashmë është pozicionuar djathtas. Duke thënë që vota djathtas në Evropë është një votë djathtas edhe në Shqipëri. 40 kamionçinat të mbuluara me postera dhe logo të fushatës së PD që zbritën nga trageti Adriatica, do të lëvizin nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë gjatë këtyre 10 ditëve, të shoqëruara edhe nga aktivistë të Partisë Demokratike dhe anëtarë të forumit rinor. Kjo, sipas Beloti është një mënyrë e veçantë e zgjedhur prej partive popullore evropiane, për të bërë fushatë, për të reklamuar arritjet e qeverisë Berisha gjatë këtyre 4 vjetëve dhe premtimet për mandatin e ardhshëm. Kjo është një mbështetje për mikun tonë të PD-së Berisha me këtë tipologji komunikimi, sigurisht të veçantë të këtij lloji në Shqipëri. Është një mbështetje e rëndësishme, për një partner tonin të rëndësishëm që është Berisha dhe Partia Demokratike, tha Beloti për mediat duke sqaruar se e djathta evropiane është e njëjtë me atë shqiptare përsa i përket linjës dhe programit. Projekti për një Shqipëri evropiane e bën liderin e PD-së Berisha një partner të madh, për këtë arsye e kemi mbështetur në gjithçka dhe për gjithçka, tha më tej Beloti. Kjo është përgjigja më e mirë për të gjitha premtimet tona, tha Bregu duke shtuar se partitë e djathta evropiane kanë fituar në 24 vende të Bashkimit Evropian, ndërkohë që një pjesë e madhe e vendeve të BE-së drejtohen sot nga kryeministra të qeverive të djathta.