E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Firma e z. Bush, përgjegjësi për Shqipërinë

Firmën e Presidentit të SHBA-së, Xhorxh W. Bush, në Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, qeveria “Berisha” e sheh si një përgjegjësi madhore. Kryeministri Sali Berisha e cilësoi dje si historike firmosjen e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO nga Presidenti amerikan Xhorxh W Bush. Përmes një konference për shtyp, kreu i qeverisë pohoi se nënshkrimi përbën aktin ligjor më madhor në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve pas njohjes së Kosovës. Sipas tij, ky akt përbën besim të madh për shqiptarët, Shqipërinë dhe reformat e saj të suksesshme. Z. Berisha shtoi se firma e Presidentit Bush është edhe përgjegjësi madhore për shoqërinë, shqiptarët, qeverinë dhe institucionet e këtij vendi për të konsoliduar nëpërmjet reformave të thella dhe të gjithanshme shtetin ligjor dhe demokracinë e bazuar në vlerat e tregut. “Garantoj qytetarët shqiptarë dhe Presidentin e SHBA-së dhe qeverinë e tij se qeveria ime do të ndërmarrë të gjitha masat dhe reformat në mënyrë që demokracia, shteti ligjor të njohë konsolidime të pandërprera”, - theksoi ai. Për Kryeministrin shqiptar firmosja e ligjit të votuar unanimisht nga Senati amerikan është konkretizim dhe realizim i mesazhit të madh që Presidenti Bush solli në Tiranë, gjatë vizitës së tij. ”Shqipëria në NATO, ky ishte mesazhi që dha Presidenti Bush në vizitën e tij në qershor 2007”, - tha kreu i qeverisë, Berisha, në fjalën e tij. I pyetur nga gazetarët se përse Greqia nuk ka ratifikuar ende MSA-në për Shqipërinë, Kryeministri tha se vonesa ka lidhje me çështje të përkthimit të teksteve dhe se ratifikimi nga Parlamenti helen do të ndodhë shumë shpejt. “Greqia ka dhënë kontribut të çmuar, të pamohueshëm dhe të shumanshëm në procesin e anëtarësimit në NATO. Greqia ka qenë dhe do të mbetet protagoniste shumë e rëndësishme e proceseve integruese evropiane dhe euroatlantike”, - tha Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›