E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taulant Dedja: Pse bashkohem me PS ’91



Një tjetër deputet socialist ka bërë divorcin përfundimtar me këtë parti dhe pse prej disa mandatesh përfaqëson zonën e Elbasanit në Kuvendin e Shqipërisë. Taulant Dedja ka deklaruar publikisht vendimin e tij politik për t’iu bashkuar lëvizjes më të fundit të socialistëve që janë kundër politikave të Edi Ramës dhe që kanë krijuar partinë më të re, PS ‘91. “Mbështes dhe jam pjesë e lëvizjes politike PS ‘91”, - bën të ditur Dedja në një deklaratë për median. Ai shton se për shkak të studimeve jashtë shtetit, ka qëndruar larg nga aksioni politik në këtë kohë. Por, Dedja shton se “nga kontaktet që kam pasur katoi ditë, mund të them pa rezerva se janë të shumtë ata që pritet t’i bashkohen kësaj partie, edhe nga grupi parlamentar socialist. Kjo ishte një lëvizje e paralajmëruar prej kohësh. Që në kongresin e vitit 2006, kur u rrëzua me pushtetin e kryetarit platforma për rishikimin e statutit dhe lejimin e mendimit ndryshe të institucionalizuar në PS, unë isha i pari që hodha idenë e rikrijimit të Partisë Socialiste”. Sipas deputetit të Elbasanit, shumë herët u vunë re tiparet uzurpative mbi forumet e PS-së të kryetarit të saj, Edi Rama. “Sot çuditërisht, të gjithë e përjetojnë këtë mënyrë drejtimi të kreut të saj në PS dhe janë të paktë zërat që e kundërshtojnë brenda PS-së”, - shton ai. Ndërkohë Dedja parashikon se si ai do të ketë dhe shumë socialistë të tjerë që do të protestojnë ndaj Ramës. Po ashtu, Dedja akuzon se njerëzit në drejtimin e PS-së kanë interesa të forta ekonomike, që lidhen me industrinë e ndërtimit, të cilët drejtojnë sot këtë parti. Në këtë mënyrë, sipas tij, është injoruar në maksimum tradita e kësaj partie dhe tipari dallues i saj, solidariteti. “Dikur PS-ja në opozitë mblidhte në selinë e saj çdo ditë me qindra vetë që mbanin të ndezur moralin dhe shpresën e fitores ndaj Berishës, ndërsa fatkeqësisht sot, në selinë e saj sheh disa ish-ministra që sillen si ministra me socialistët dhe elektoratin, punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenë miq të kryetarit”, - shprehet Dedja. Më tej, ai shprehet se “besoj se në ditët në vazhdim, në PS do të ketë mjaft reagime të ashpra rreth këtyre qëndrimeve të kryetarit, duke paralajmëruar humbjen e saj nëse vazhdohet me këtë filozofi përjashtuese. Nëse ai ka veshë t’i dëgjojë, do të jetë mirë për të gjithë socialistët, nëse jo do të jenë të gjithë socialistët që do vazhdojnë të qeverisen nga Kryeministri aktual, Sali Berisha”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›