Berisha: Ligjet e mia s’i tërheq kërraba e interesit
“Institucionet e pavarura kanë rilindur”
“Me ambasadorin Uidhers kam raporte normale”
Pavarësisht disa kontestimeve, Kryeministri Sali Berisha është i bindur në miratimin e ligjeve që do të garantojnë pavarësinë e institucioneve në vend. Sipas tij, pavarësia e drejtësisë shqiptare është një ndër objektivat kryesorë të qeverisë që ai drejton. Kryeministri vuri në dukje dje se ligjet që janë në diskutim, do të jenë ligjet me standardet më të mira dhe jo mbi baza interesi. Për këtë ai i referua, jo vetëm kundërshtive të ligjeve për drejtësinë, por edhe atij për lejet e ndërtimit. “Pavarësia e institucioneve mbetet një qëllim madhor, një parim madhor i jetës dhe veprimtarisë sime. Ligjet e këtij vendi do të jenë ligjet me standardet më të mira demokratike. Por nëse kërraba e interesit kërkon t’i tërheqë ato, nuk do të mund t’i tërheqë”, - pohoi z. Berisha. Në gjykimin e Kryeministrit institucionet e pavarura në këtë vend lindën mbi të gjitha nga sakrificat që u bënë për të shembur perden e hekurt dhe nga të gjithë ata që shembën në Tiranë “Murin e Berlinit”, duke i hapur rrugën pluralizmit politik. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, i pyetur lidhur me kontestimet e grupeve të interesit për disa nga projektligjet e reformës në drejtësi, Kryeministri Berisha siguroi se "ligjet e këtij vendi do të jenë të standardeve më të mira demokratike". Në këtë aspekt ai komentoi nismën ligjore për lejet e ndërtimit. "Nëse kërraba e interesit kërkon t'i tërheqë ato, nuk do të mund t'i tërheqë. Ata të cilët kanë vendosur sistemin e 15-përqindëshit tek lejet e ndërtimit, ata dezinformojnë dhe shpallin në gazetat e tyre se Berisha po u merr kompetencat bashkive", - tha Kryeministri. Por sipas tij, të zbatosh parimin 'heshtja është miratim', nuk do të thotë t'u marrësh kompetencat bashkive, pasi "ky parim do të zbatohet edhe për Berishën, edhe për problemet e administratës". Z. Berisha theksoi se "qeveria që drejton synon t'i vërë fre korrupsionit dhe burokracisë, për t'i vënë një kufizim shtetit, pasi shteti duhet të ketë kufizime". Në këtë drejtim, kreu i qeverisë garantoi se "këto ligje nuk po i shpikim ne, por ato bazohen në praktikat më të mira që po i marrim, pasi tani po ecim sipas modeleve". Nga ana tjetër, Kryeministri Sali Berisha konfirmoi dje se mes tij dhe ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Xhon L. Uidhers ka marrëdhënie normale, që karakterizohen nga një frymë e hapur bashkëpunimi. Gjatë një konference për shtyp ku përshëndeti firmosjen e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Presidenti i SHBA-së, Xhorxh W. Bush, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të medias edhe mbi marrëdhëniet që ekzistojnë mes tij dhe ambasadorit të SHBA-së, Uidhers. "Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera, këtë mund ta them me përgjegjësi të plotë. Ambasadori dhe ambasada e SHBA-së në Tiranë kanë rolin e vet të padiskutueshëm në të gjitha këto zhvillime historike në Uashington. Për këtë nuk duhet të ketë komente", - u shpreh Kryeministri Berisha.