E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush: Shqipëria ka krah NATO-n në çdo rrezik

Presidenti amerikan hedh firmën historike

E quan të domosdoshme futjen në Aleancë

Nëse Shqipërisë i kanoset ndonjë rrezik, Amerika është e gatshme ta mbrojë atë me çdo mënyrë, si aleate e NATO-s. Siguria është dhënë në Shtëpinë e Bardhë nga njeriu më i pushtetshëm i botës, Xhorxh W. Bush, gjatë fjalimit që mbajti në ceremoninë e nënshkrimit të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Në Shtëpinë e Bardhë Presidenti amerikan garantoi se nëse ndonjë vend kërcënon Shqipërinë ose Kroacinë, aleatët e NATO-s do t’u qëndrojnë përkrah për t’u përballur me rrezikun. Presidenti vuri në dukje mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin në të ardhmen të vendeve të tjera të rajonit që ushqejnë ambicie për përfshirjeje në NATO, duke e theksuar Aleancën si një garantuese të lirive themelore njerëzore. Sipas tij, ky është një moment i veçantë në historinë shpresëdhënëse të lirive të njeriut, ndërkohë që Amerika zyrtarisht deklaron mbështetjen e saj për futjen e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. “Me ceremoninë e sotme festojmë me dy demokraci të reja dhe energjike të cilat po përpiqen të marrin përsipër përgjegjësi të reja në një kohë kur përballemi me terrorizëm dhe luftëra", - tha Presidenti Bush. Ai vuri në dukje se me nënshkrimin e Protokollit për Anëtarësim në Aleancë, forcohet partneriteti i Amerikës me vende që dikur dergjeshin nën prangat e komunizmit. “Ky është një moment, - tha Presidenti, - kur populli amerikan gëzon me popullin shqiptar dhe atë kroat një hap të madh drejt përfshirjes së vendeve të tyre në aleancën më të madhe të lirisë që ka njohur ndonjëherë bota”. Presidenti foli në veçanti edhe për rrugën e përshkuar nga këto vende që nga rrëzimi i regjimeve komuniste. Madje Presidenti i SHBA-së nuk ngurroi të fliste dhe për kujtimet e tij në Shqipëri dhe Kroaci para se ato të merrnin ftesën për anëtarësim në NATO. "Laura dhe unë kemi kujtime shumë të mira nga vizitat tona në Tiranë dhe Zagreb, ku u takuam me njerëz që po i tregonin botës potencialin e lirive njerëzore. Popujt e Shqipërisë dhe Kroacisë kanë kapërcyer luftëra dhe vështirësi, kanë ndërtuar marrëdhënie paqësore me fqinjët dhe kanë ndihmuar demokraci të tjera të reja të ndërtojnë dhe të forcojnë shoqëri të lira", - deklaroi z. Bush. Ai shtoi se Aleanca e NATO-s është një garanci e sigurisë së vendeve anëtare, duke shtuar se këto garanci do t’i ofrohen edhe Shqipërisë dhe Kroacisë, pas anëtarësimit të tyre. Në gjykimin e tij, ftesa për anëtarësim në NATO është vlerësim për reformat e vështira që kanë ndërmarrë këto vende në rrugën drejt begatisë dhe paqes. “Si shkëmbim, anëtarësimi në NATO ofron premtimin e sigurisë dhe stabilitetit. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të anëtarëve të Aleancës. Kur Shqipëria dhe Kroacia të jenë zyrtarisht anëtare të NATO-s, popujt e tyre duhet ta kenë të qartë se nëse një vend tjetër kërcënon sigurinë e tyre, çdo anëtar i Aleancës do t’u qëndrojë në krah", - u shpreh Presidenti i SHBA-së Xhorxh Ë. Bush. Ai shprehu besimin se Shqipëria dhe Kroacia do të përmbushin zotimin e tyre për të forcuar institucionet demokratike dhe sistemet e tregut të lirë. Sipas Bushit, futja e tyre në NATO është një hap i madh përpara për Ballkanin. “Brenda harkut kohor të një dekade, ky rajon është shndërruar nga një pikë e globit e përfshirë nga lufta, në një kontribuues për paqen dhe stabilitetin. Amerika mirëpret ditën kur Aleanca e NATO-s të përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit", - theksoi Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush.

Shefer: Shqipëria dhe Kroacia, më pranë NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Shefer, gjatë ceremonisë së firmosjes së Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO nga Presidenti amerikan Bush, ka deklaruar se ky akt i çon këto dy vende më pranë Aleancës. "Rreth 60 vite më parë kur u firmos marrëveshja për krijimin e NATO-s pikërisht këtu në këtë vend, një nga delegatët shprehu shpresën se Aleanca do të vinte gjithnjë në rritje. Ceremonia e sotme është një provë reale që kjo është realizuar. Me Shqipërinë dhe Kroacinë, dy demokraci të tjera do të futen në familjen tonë transatlantike. Ajo që filloi me 12 shtete, do të rritet së shpejti në 28”, - tha ai. Sipas përfaqësuesit zyrtar të NATO-s, firmosja e protokollit “u jep një rol shumë të rëndësishëm politik dhe ushtarak këtyre vendeve në aleancën tonë. Tani jemi një hap më afër pranimit në Aleancë të Shqipërisë dhe Kroacisë, dy vende që kanë treguar, me fjalë dhe me vepra, se ata kanë dëshirën dhe janë të afte të marrin përgjegjësinë e anëtarit të NATO-s”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›