E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neritan Ceka: Topalli si Indira Gandi

Intervista/ Flet kreu i PAD-së dhe nënkryetari i ri i Kuvendit. Cilat janë marrëdhëniet me PD-në e PS-në.

Neritan Ceka ka vetëm pak javë në rolin e nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, por shprehet se ka marrëdhënie të shkëlqyera me kryetaren e këtij institucioni, Jozefina Topalli, marrëdhënie të cilat kanë qenë, sipas tij, po kaq të mira edhe në kohën kur ai ishte kryetar i grupit parlamentar dhe deputet i Aleancës Demokratike. Ai nuk e ka fshehur simpatinë e tij politike për Topallin as atëherë kur ishte i pozicionuar krejtësisht në frontin opozitar. Mjaft të kujtojmë këtu kohën kur mocioni i mosbesimit ndaj kryetares së Kuvendit i iniciuar nga PS-ja dhe i mbështetur nga i gjithë spektri i majtë, nuk e mori kurrë pëlqimin e aleancistit, i cili nuk ngurronte të deklaronte se Kuvendi duhej të ishte krenar që kishte një grua kryetare dhe jo të ndërmerrte hapa të tillë ekstremë. Por tashmë pas 3 vitesh që ka këtë grua kryetare Kuvendi dhe tani po bashkëpunon me të si nënkryetar, Ceka vlerëson jo vetëm faktin që është një grua në një post kaq të lartë politik në një shoqëri mashkullore, siç e cilëson ai shoqërinë shqiptare dhe politikën në përgjithësi, por sheh dhe nxjerr në pah vlerat e saj drejtuese dhe politike. Në një intervistë për “standard”, kreu i PAD-së e krahason kryetaren e Kuvendit me gra politikane që kanë bërë epokë në vendet e tyre, si ish-kryeministrja indiane, Indira Gandi (Gandhi) apo gruaja e hekurt e Izraelit, kryeministrja e vetme femër e këtij vendi, Golda Mejr (Meir).

Ceka u bë nënkryetar i Kuvendit me mbështetjen e grupit parlamentar demokrat dhe pse nuk preferon ta shohë akoma plotësisht veten në krahun e djathtë, duke tentuar të ruajë pozicionin e partisë së tij si parti e qendrës dhe e hapur për bashkëpunim nga të dyja krahët e politikës. Ai mblodhi dje Asamblenë Kombëtare të partisë, e cila mori vendim që gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e reja parlamentare partia do të krijojë mundësinë e hapjes me elektoratin nga i gjithë spektri politik.

Zoti Ceka, keni vetëm pak javë në postin e nënkryetarit të Kuvendit. Si janë marrëdhëniet tuaja me kryetaren Topalli dhe si i vlerësoni sulmet e fundit ndaj saj jo vetëm nga opozita, por dhe nga demokristianët?

Mund të them se raportet e mia me zonjën Topalli nuk kanë ndryshuar, ato janë po aq të mira sa kanë qenë dhe më parë, kur unë nuk isha në rolin e nënkryetarit të Kuvendit, por kryetar i grupit parlamentar dhe deputet i Aleancës Demokratike. Për sa u përket akuzave dhe sulmeve drejtuar ndaj saj, mendoj se mund të pritej që një kryetare Kuvendi që mundohet të afirmojë gruan dhe politikanen në të njëjtën kohë, të mos krijojë konflikte dhe pakënaqësi. Por unë mendoj dhe besoj se ajo në një drejtim ka hapur një rrugë të re, rrugën e diplomacisë parlamentare. Edhe për faktin që është kryetare Kuvendi gjatë momentit kur ndodhën dy ngjarje të një rëndësie të madhe dhe dy aksione të mëdha historike, siç ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe firmosja e Protokollit të Anëtarësimit në NATO. Në të dyja këto aksione ajo ka një rol të padiskutueshëm. Ka një kontribut direkt në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe rol të padiskutueshëm në firmosjen e Protokollit të NATO-s, siç ishte rasti i fundit, ai i Bullgarisë.

Por, sipas meje, nuk ka qenë e lehtë për të promovuar politikanen në një shoqëri mashkullore, e cila është mësuar që ta shohë femrën vetëm në prapaskenë. Në përpjekjet për afirmimin e politikanes mund ta krahasoj me Indira Gandin apo Golda Mejrin, shembuj të tilla grash që kanë ditur të drejtojnë politikën në shoqëri mashkullore.

Zoti Ceka, duke parë vlerësimin tuaj për një figurë politike të së djathtës dhe afrimin tuaj vitet e fundit pranë këtij formacioni politik, a do të bashkëpunoni me PD-në në zgjedhjet e ardhshme dhe në çfarë forme?

Bashkëpunimi në zgjedhjet e ardhshme do të varet dhe nga Kodi i ri Zgjedhor. PAD-ja mblodhi sot Asamblenë e partisë dhe vendimi që u mor, ishte hapja e partisë me elektoratin e gjerë. Unë kam marrëdhënie shumë të mira me opozitën. Kam marrëdhënie shumë të mira me Lëvizjen Socialiste për Integrim që e shoh si një të majtë të konsoliduar, me Partinë Socialdemokrate dhe Demokracia Sociale si dhe tërë socialistët. Pra, bashkëpunimi ynë do të varet ndaj asaj që do të na imponojë Kodi Zgjedhor dhe kontrata jonë me elektoratin.

Po ju, ku e ndieni më mirë veten, pranë PD-në apo pranë së majtës?

Unë e kam vendin në Aleancën Demokratike dhe Aleanca Demokratike do të jetë atje ku e kërkojnë interesat e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›