E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Mirënjohje SHBA-së për Shqipërinë në NATO

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shprehu dje Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush, mirënjohjen e popullit shqiptar me rastin e nënshkrimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. "Nënshkrimi nga ana Juaj e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i mbështetur unanimisht nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rikonfirmoi besimin se vendi juaj mbetet aleati më i madh dhe i besueshëm i Shqipërisë", - thuhet në mesazhin e mirënjohjes së Presidentit Topi. Kreu i shtetit, në mesazhin e mirënjohjes për Presidentin Bush shpreh bindjen se "vendimi juaj inkurajon proceset demokratike në Shqipëri e në të njëjtën kohë forcon vullnetin e popullit tim për të ndërtuar një shtet të së drejtës, të lirisë dhe të respektit ndërinstitucional, një shtet të aftë për të përballuar me sukses sfidat që e ardhmja i rezervon". "Më lejoni që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të përzemërta për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme që i jepni Shqipërisë dhe popullit shqiptar", - thuhet në mesazhin e Presidentit Topi për Presidentin e SHBA-së, Xhorxh W. Bush.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›