Topalli: Faleminderit SHBA-ve që na besuat si partnerë
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli përshëndet firmosjen e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga Presidenti George W. Bush. Në mesazhin e saj, Kryetarja e Kuvendit thekson se “firma e Presidentit të Shteteve të Bashkura, George W. Bush në ligjin e pranimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar me të drejta të plota në NATO tregon edhe një herë se, Komuniteti Ndërkombëtar nën lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit aq të dashur për shqiptarët, George W. Bush, vlerësuan meritën e reformave të paimagjinueshme që Shqipëria ka bërë vitet e fundit”. Sipas saj “firma e Bush është besim për Shqipërinë, për kurajën e lidershipit qeverisës në reformat më të guximshme që një vend mund të ndërmarrë”. Duke shprehur mirënjohjen SHBA-ve që sipas Topallit “na besuan të jemi partnerë të tyre në Aleancën më të madhe të kohërave”, ajo shton se firma e Bush e bën 24 tetorin një tjetër ditë të madhe për këtë komb, i cili po bën realitet ëndrrën e tij shekullore.