E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Frymëzues, niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

Kryeministri bën bilancin e vizitës disaditore në SHBA, duke konfirmuar vizitat e pritshme të zv/presidentit Biden dhe sekretares Klinton në Shqipëri, por edhe partneritetin e ngushtë në reformat euroatlantike

Dje jam kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shkova, me ftesë të bashkëkryetarëve të Komitetit Organizator të Kongresit të SHBA-ve, për të marrë pjesë në Mëngjesin e 57-të Kombëtar të Lutjeve, që u mbajt në Uashington të enjten, në datën 5 shkurt. Në këtë ceremoni madhështore nga Shqipëria morën pjesë z. Fatmir Mediu, i cili është një nga organizatorët kryesorë të kësaj veprimtarie në rajonin e Ballkanit, z. Namik Dokle, z. Arben Malaj dhe z. Marko Bello.
Mëngjesi i Lutjeve këtë vit bashkoi personalitete dhe përfaqësues nga 182 vende të botës, të të gjitha besimeve, racave, bindjeve, të cilët iu lutën së bashku Zotit në Uashington për paqe, mirëkuptim, dhembshuri, harmoni dhe prosperitet. Mëngjesi i Lutjeve ishte një moment frymëzues, shpirtëror, reflektimi dhe përkushtimi.
Në Mëngjesin e Lutjeve morën pjesë Presidenti Barack Obama, Zëvendëspresidenti Joe Biden, Sekretarja e Departamentit të Shtetit dhe dhjetëra e dhjetëra personalitet të larta të administratës së Presidentit Obama, senatorë, kongresmenë dhe personalitete nga fusha të tjera të rëndësishme të këtij vendi të madh, si dhe presidentë, kryeministra, deputetë, senatorë nga një numër shumë i madh vendesh të botës.
Në Mëngjesin e Lutjeve Presidenti Obama mbajti një fjalë frymëzuese, në të cilën citoi Krishtin, Torah-un, Kuranin, mësimin e tyre për dashurinë ndaj fqinjit, mikut, shokut, për respektin ndaj tij, sikundër informoi audiencën se në Shtëpinë e Bardhë do të funksionojë zyra e besimeve. Kjo zyrë, theksoi Presidenti, nuk do të mbështesë asnjë besim fetar më shumë në raport me një besim tjetër fetar, nuk do të mbështesë besimet fetare në raport me sekularizmin, do të mbështesë të gjitha ato organizata, të cilat me përkushtim punojmë për komunitetin dhe që respektojnë linjën ndarëve midis kishës dhe shtetit, trashëgiminë e etërve themelues të SHBA-ve.
Mëngjesin i Lutjeve e përshëndeti edhe ish Kryeministri Tony Blair.
Theksoj edhe njëherë se kjo ishte një ceremoni frymëzuese.
Në këtë Mëngjes pata shansin të jem në një tavolinë me Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton dhe siç është dhe vetë mjedisi i këtij Mëngjesi të diskutoj me të për gjëra familjare, private dhe të tjera të rëndësishme.
Në drekën e shtruar një ditë para Mëngjesit, unë pata shansin t’u adresohem 1200 pjesëmarrësve të Mëngjesit të Lutjeve, t’i njoh ata shkurtimisht me historinë e dhimbshme të popullit tim, por edhe arritjet e tij të mëdha e të pamohueshme, si dhe t’u shpreh mirënjohjen e thellë të gjithë atyre të pranishmëve, të cilët me dashurinë, respektin dhe përkushtim ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve bënë të mundur që edhe ne, me përpjekjet e mundin tonë, të ndërtojmë lirinë, vlerat e saj, të ndahemi me sukses nga një e shkuar që nuk e kemi merituar.
Gjatë qëndrimit në Uashington, pata fatin të takoj Zëvendëspresidentin Joe Biden, mik i shquar i Shqipërisë dhe kombit shqiptar dhe këshilltarin e tij të Sigurimit Kombëtar Anthony Blinken. Zëvendëspresidentit Biden i shpreha mirënjohjen time më të thellë për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Zëvendëspresidenti Biden më siguroi se ndjehej krenar me miqësinë e Shqipërisë dhe avokatinë që ai i kishte bërë çështjes së drejtë së shqiptarëve dhe mbështetjes që i kishte dhënë Shqipërisë. Dua t’ju rikujtoj një deklaratë të 4 viteve më parë Zëvendëspresidentit Biden, në atë kohë kryetar i Komisionit të Jashtëm të Senatit, ku deklaronte se Shqipëria është një vend mik, shqiptarët janë një popull mik që i duan shumë Shtetet e Bashkuara dhe që na mbështesin, por që kanë një problem të madh se nuk mbajnë zgjedhje të rregullta. Kjo deklaratë ka pasur këtu një jehonë ndër më pozitivet. Shfrytëzova rastin ta ftoj Zëvendëspresidentin Biden të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën e pranoi me kënaqësi.
Unë pata një takim të shkëlqyer, shumë të ngrohtë, miqësor e të frytshëm në Departamentin e Shtetit, me Sekretaren Hillary Clinton. Unë isha Kryeministri i parë që takoja Sekretaren Clinton, fakt të cilin e shkrova edhe në librin e nderit. Ishte kënaqësi, gjithashtu, ta siguroja se shqiptarët janë kombi që janë gëzuar më shumë për emërimin e saj në atë detyrë të lartë, në krye të diplomacisë amerikane. Takimi dhe biseda me Sekretaren e Shtetit ishte takimi dhe biseda me një mike të shquar e të madhe, e cila e njihte Shqipërinë dhe shqiptarët dhe i donte. Departamenti i Shtetit ka bërë komunikatën e takimit dhe unë gjithashtu informimin, por ajo që dua të theksoj është se nga këto takime marrëdhëniet e Shqipërisë me administratën e re të Presidentit Obama janë të shkëlqyera dhe do të njohin zhvillime të tjera të mëdha në të ardhmen. Shqipëria është vend i vogël dhe në skakierën planetare, mund t’u them se në mendjen dhe zemrën e udhëheqësve të SHBA-ve ka një vend shumë më të madh sesa, proporcioni që ajo ka në planet.
Gjatë qëndrimit kam takuar shumë senatorë e kongresmenë. U takova me senatorin Lugar, për të cilin u shtrua një darkë në nder të tij, ku u bashkuan miq të shquar të Shqipërisë në nder të këtij burri e miku të madh të Shqipërisë, këtij promotori të vërtetë të anëtarësimit të vendit në NATO. Senatori Lugar me nismën e tij bëri që Shqipëria të jetë vendi i parë në botë pa armë kimike, si dhe ka iniciuar një seri rezolutash e nismash të tjera në favor të integrimit të Shqipërisë në NATO.
U takova me senatorin John McCain, një avokat i madh dhe i pamposhtur i çështjes së drejtë të shqiptarëve, demokracisë shqiptare dhe i Kosovës. Po ashtu me senatorin Bill Nelson, senatorin Isakson, të Komisionit të Jashtëm, ku shpreha mirënjohjen më të madhe për votën unanime që ky Komision, në një kohë kur ishte tepër i zënë me punë, bëri për ratifikimin e Protokollit të NATO-s për Shqipërinë. U takova me senatori Tom Coburn, Sam Broënback, John Thune, Jim DeMint, John Ensign, Mark Pryor dhe një numër kongresmenë Mike Doyle, Trent Franks, Zach Ëamp, Robert Aderholt, Heath Shuler, Doug  Lamborn, Bart Stupak etj.. Në të gjitha këto takime, paraqita reformat dhe rezultatet e tyre, mirënjohjen e pakufishme që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë, por edhe përpjekjet e mëdha të kësaj qeverie për të nderuar detyrimet e saj për anëtarësimin në NATO. Si Sekretares Clinton, senatorit Lugar e të gjithë miqve të tjerë iu shpreha se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qeverisë se SHBA-ve dhe Presidentit Bush dhe mbështetjet e mëparshme, Shqipëria nuk do të merrte ftesën dhe nuk do të anëtarësohej në NATO. Por kjo mbështetje u shndërrua në një forcë të fuqishme motivuese për qeverinë time për të proceduar me reforma të thella e të gjithanshme, pa të cilat nuk do të ishte e mundur marrja e ftesës.
Me këtë rast, dua të falënderoj përzemërsisht dhe me shumë mirënjohje Zëvendëspresidentin Joe Biden për ndjenjat e ngrohta dhe miqësore që shprehu në atë takim të shkurtër, një mirënjohje shumë të thellë për takimin që më rezervoi, për bisedën e ngrohtë, miqësore, të frytshme dhe mirëkuptimin që pata me Sekretaren Clinton, e cila pranoi ftesën të vizitojë me kënaqësi Shqipërinë. Sikundër të siguroj se kjo qeveri do t’i përmbahet të gjitha detyrimeve dhe angazhimeve të saj që reformat në Shqipëri të ecin dhe që qytetarët shqiptarë të votojnë si qytetarë të një vendi të lirë, ashtu si edhe qytetarët e tjerë të vendeve të Europës dhe Perëndimit.
Gjatë qëndrimit në Uashington zhvillove edhe një seri takimesh të tjera me Zëvendëssekretarin e Pentagonit Gordon England, i cili këto ditë dorëzon detyrën. I shpreha z.England mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në NATO. U takova gjithashtu edhe me Sekretarin Rumsfeld, Sekretarin Cohen, Sekretarin Colin Paëell, të gjithë miq të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilët me akte konkrete kanë kontribuar në integrimin e Shqipërisë në NATO. Sekretari Cohen do të themelonte në vitin ’96 SEDM për ta bërë Shqipërinë sa më evidente,   Sekretari Paëell do të krijonte në Tiranë Kartën e Adriatikut 3, e cila u shndërrua në një mekanizëm të shkëlqyer i testimit, progresit dhe vlerësimit të tre vendeve tona, në procesin e integrimit në NATO. Sekretari Donald Rumsfeld mbështeti fuqishëm Shqipërinë për marrjen e ftesës në NATO.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›