“Edi Rama censuron mediat e blera me leje ndërtimi dhe lista deputetësh”

Reagon Partia Demokratike ndaj dhunës që kryesocialisti ushtron mbi mediat
Përgenjështrimi i Partisë Demokratike dhe Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, lidhur me abuzimet e pretenduara nga Partia Socialiste të rrugës së Gjirit të Lalzit në Durrës, është censuruar në mënyrë të padrejtë nga një pjesë e medieve të përditshme në tregun shqiptar. Partia Demokratike akuzoi përsëri kryesocialistin Edi Rama, si kryedhunues të medieve të lira, të cilat ai i ka blerë me leje ndërtimi dhe me premtime lista deputetësh. Zëdhënësi i selisë blu, Gerti Bogdani deklaroi se terrorizimi ndaj medieve tregon intolerancë totale ndaj informacionit të vërtetë. “Terroristi i fjalës së lirë, Mr. 20%, njeriu që po jeton llahtarin e dosjeve të krimeve të familjarëve të tij, censuron vazhdimisht mediat e blera prej tij. Gazeta Shqip, Shekulli, Tema dhe Albania, nuk botuan tërësisht përgenjështrimin ndaj mashtrimeve të Braçes së tij, si nga ana e Ministrisë së Transporteve ashtu dhe nga Partia Demokratike. Duke dëshmuar intolerancë totale ndaj informacionit të vërtetë dhe kontroll absolut të mediave, të blera me leje ndërtimi, apo lista deputetësh”, u shpreh Bogdani. Sipas tij, censura e plotë e informacioneve të vërteta dhe shndërrimi i tyre në zëdhënëse të mashtrimeve të tij, është standardi mediatik i Edi Ramës, i shëndrruar tashmë në 2 braçe burrë.
L.Q