E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra në Shkozet, ngujohet familja e vrasësit

Policia vazhdon të qëndrojë në gatishmëri, ndërsa i druhet një gjakmarrjeje të mundshme nga fisi i viktimës


DURRËS - Familja e autorit të vrasjes së dyfishtë, Kujtim Hasanajt, është ngujuar. Madje jo vetëm familja e tij e ngushtë, por edhe persona të tjerë të fisit të tij.

Një gjë e tillë bëhet e ditur nga fqinjët, të cilët nuk i kanë parë të lëvizin familjarët e vrasësit përgjatë gjithë ditës pas vrasjeve të ndodhura në oborrin e shtëpisë së Shaban Karabrahimit. Ndërkohë policia vazhdon patrullimin në zonë për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm mes dy familjeve, asaj të viktimave si dhe të vrasësit.


Një fis i tërë është gdhirë i ngujuar mëngjesin e së hënës, vetëm një ditë pasi Kujtim Hasanaj, 35 vjeç, nga Tropoja, vrau me armë zjarri në oborrin e shtëpisë së tij Shaban Karabrahimin, si dhe Sadik Lazrin.

Ngjarja që shkaktoi dy viktima ka çuar edhe në frikën e ekzekutimit të kanunit duke qenë se njëra nga familjet është nga Tropoja e tjetra nga Bulqiza, zona që e respektojnë ligjin e gjakmarrjes.

Dritare e dyer të mbyllura ka qenë tabloja e djeshme e familjes Hasanaj, por edhe e familjeve të tjera të këtij fisi, të cilat ndodhen në Durrës.

Ata rezultojnë të jenë ngujuar për shkak se i druhen hakmarrjes nga familjet e viktimave. Kjo klimë armiqësore që ka pllakosur në Sera të lagjes 14 të Shkozetit në Durrës, ka bërë që edhe policia të ishte e pranishme gjatë gjithë ditës e natës, pasi situata mund të precipitonte për më keq.

Ndërkohë, familja Krabrahimi është nisur mëngjesin e djeshëm herët për në qytetin e Bulqizës për të kryer ceremoninë mortore të varrimit të Shabanit 50-vjeçar. Ndërsa policia po qëndron pranë familjeve të ngujuara për të parapritur çdo fatkeqësi të mundshme.


Në orët e vona të mbrëmjes së të dielës, policia u shpreh se ishte realizuar arrestimi në flagrancë i 35-vjeçarit Kujtim Hasanaj. "Pjesëtarët e dy familjeve janë konfliktuar me njëri-tjetrin për një sipërfaqe trualli që është përdorur nga familja Karabrahimi, por me vendim gjykate i është dhënë familjes tjetër", - u shprehën burimet zyrtare.

Po sipas policisë, gjatë konfliktit Hasanaj ka qëlluar me armë tip pistoletë të cilën e mbante pa leje, në drejtim të vëllezërve Shaban e Iliridan Karabrahimi.

Nga të shtënat janë plagosur rëndë Shaban Karabrahimi, 49 vjeç, Sadik Lazri, 29 vjeç, të cilët kanë gjetur vdekjen më pas në spitalin rajonal të qytetit, si dhe është plagosur lehtë në dorë shtetasi Iliridan Karabrahimi, 39 vjeç.

Menjëherë pas ngjarjes shërbimet e policisë bënë të mundur kapjen e autorit Kujtim Hasanaj, si dhe të armës me të cilën u krye krimi. Në vendngjarje u gjetën dhe u sekuestruan gjashtë gëzhoja pistolete.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›