E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Gabuam me paratë e Transballkanikes

• Vetëm disa orë pas shembjes së dy ndërtimeve në rrugën Transballakanike, Kryeministri Sali Berisha u shpreh në kuvend në lidhje me kompensimet e familjeve që banojnë aty.VLORE / Qemal BirakuKryeministri Sali Berisha deklaroi se "Qeveria do të paguajë qindarkë për qindarkë për shpronësimet në rrugën Transballkanike".Gjatë seancës së djeshme plenare, Kryeministri Berisha pranoi se "është e vërtetë që në procesin e shpronësimeve ka pasur një problem, pasi fillimisht është bërë një përllogaritje e gabuar, për të cilën Qeveria i ka kërkuar ndjesë familjarëve dhe e ka ndryshuar vendimin e saj". Kryeministri garantoi se "fondi është i tëri disponibël dhe do të shqyrtohet menjëherë, pasi askujt nuk mund t'i preket banesa apo prona, pa i dhënë më parë paratë, dhe Qeveria i qëndron plotësisht këtij fakti". "Unë kam një keqardhje shumë të madhe, pasi disa zonja janë në një grevë atje. Kam dërguar njerëz nga Tirana, dhe u kam kërkuar autoriteteve vendore të merren me këtë çështje, por e vetmja gjë që nuk mund të bëj është të marr atributet gjyqësore, sepse një palë i ka paditur ato, dhe unë nuk mund të parashikoj rezultatin e gjyqit", deklaroi Kryeministri Berisha.Gjatë paradites së djeshme, është kundërshtuar sërish me dhunë aksioni për prishjen e godinave të larta në rrugën Transballkanike. Në planin e Policisë Ndërtimore ditën e djeshme ka qenë prishja e dy ndërtimeve, një godinë 2-katëshe dhe një tjetër 3-katëshe. Rreth orës 11:00 në zonë kanë mbërritur dhe përfaqësues të Policisë Ndërtimore të Tiranës, të cilët bashkë me ata të Vlorës kanë vënë në lëvizje fadromën për godinën trekatëshe. Në këtë moment, pronarë të godinës si dhe banorë të kësaj zone që preken nga prishja e ndërtimeve kanë tentuar të pengojnë fadromën. Pas disa minutash debati me përfaqësues të Policisë Ndërtimore, uniformat blu kanë mundur të largojnë nga zona banorët, duke i hapur rrugë mjetit shkatërrues. Njëra pas tjetrës janë rrëzuar të dyja godinat. Pronarët e godinave kanë kërkuar vlerësimin e objekteve të tyre dhe t'u jepen paratë në dorë e më pas lejojnë prishjen. Gjithashtu, sipas tyre, duhet të mbahet një procesverbal më parë, i cili të saktësojë se sa metër katrorë ishte godina dhe trualli ku ndodhet. Vladimir Jaze, njëri prej pronarëve, u shpreh se zotëron të gjithë dokumentacionin e rregullt dhe certifikatën e pronësisë, por nga shteti ka marrë vetëm letra për kompensim. "Nuk kam shpresë se do të marr ndonjëherë lekë në dorë", pohon ai. Ndërsa pronari tjetër, Pavllo Leka, pasi ka debatuar me kreun e Policisë Ndërtimore tha se, ndonëse ka shkuar disa herë me banorët e tjerë në bankë nuk kanë mundur të marrin asnjë lek që u takon nga kompensimi. "Banka thotë se nuk ka asnjë lek për ne, ndërsa Policia Ndërtimore kur vjen të na prishë objektet thotë se lekët janë gati e të shkojmë t'i tërheqim", deklaroi ai. Një tjetër ka kërcënuar se nuk do të lejojë fadromën t'i prishë ndërtesën e ngritur me paratë e të bijve emigrantë, pa marrë para në dorë. Për të shmangur ndonjë incident, ndërtimorët janë tërhequr, duke caktuar ditën e sotme si vazhdim të aksionit të tyre. Shpëtim Xhyheri, kreu i Ndërtimores, në një prononcim publik deklaroi se policia që ai drejton ka për detyrë të zbatojnë ligjin e, për rrjedhojë, të prishë të gjitha ndërtimet që pengojnë vazhdimin e punës për rrugën Transballkanike. "Sa për banorët që kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre, shteti i ka kompensuar dhe ne nuk përgjigjemi për marrjen e parave nga ana e tyre. Ne nesër do të vazhdojmë me prishjet, sado të kundërshtojnë banorët".SituataGratë në grevëRreth 100 metra larg nga vendi ku u zhvillua aksioni i djeshëm po vazhdojnë grevën e urisë 4 gratë, banore të së njëjtës zonë. Ato  kanë hyrë në javën e tretë dhe gjendja shëndetësore e tyre është e rënduar. Për shkak të refuzimit të ushqimit ato po marrin vetëm serume nga mjekët. Dy prej grevisteve janë shtruar dy herë në spital, pasi kanë pësuar gjendje të fikëti apo probleme të tjera.  Ato vazhdojnë të këmbëngulin se nuk dalin të gjalla nga greva e urisë nëse nuk u plotësohen kërkesat që kanë. "Dhe nëse do e shembin godinën ku jemi ngujuar, ne nuk do të dalim, por do të pranojmë të vdesim këtu", kanë kërcënuar ato.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›