E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau gruan, burg përjetë burrit

• FIER - Dënohet me burg përjetë Pajtim Duraj, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij shtatzënë me binjakë.Pas më shumë se 10 muajsh nga krimi, dje Gjykata e Fierit dha vendimin e saj maksimal për autorin. Në muajin mars të vitit 2007, Duraj ka qëlluar pas një zënke gruan e tij shtatzënë, Matildën. Më pas ai u largua nga vendi i ngjarjes, duke bërë që e shoqja të humbasë jetën nga hemorragjia. Ka qenë kjo njëra nga arsyet që e rëndoi masën e dënimit të vrasësit, i trajtuar si një person me rrezikshmëri të lartë për shoqërinë. Të njëjtin vendim kapital kërkoi dhe Prokuroria gjatë dhënies së pretencës. Avokatja mbrojtëse e të pandehurit kërkoi masa lehtësuese për klientin e saj, por nuk ka pasur ndikim tek trupi gjykues. I dënuari përjetë ishte njohur me viktimën dy vite më parë dhe pas fejesës ata emigruan në Itali. Aty kanë qëndruar për rreth 2 muaj, por shumë shpejt kanë lindur kontradiktat mes tyre. Për hir të tyre, viktima vendosi të rikthehej në Shqipëri, ndërsa i fejuari u kthye vetëm 1 javë para ngjarjes. Sapo ka ritakuar të fejuarën ai është grindur me të e më pas e ka qëlluar me pistoletën që kishte me vete. Ditën e ngjarjes i pandehuri është konfliktuar në atë shkallë sa e ka goditur me armë zjarri pistolete viktimën Matilda Haxhiu. Në ngarkim të të pandehurit Pajtim Abazi (Duraj) rëndonin veprat penale të "vrasjes në rrethana cilësuese ndaj gruas shtatzënë", "mbajtjes pa leje të armëve luftarake" dhe "prishjes së qetësisë publike".               m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›