Berisha: Garanci të plotë opozitës
Erald Kapri
Kryeministri Sali Berisha shprehet i gatshëm të japë garanci të plotë për kërkesat e opozitës. Nga Berlini, ku kreu i Qeverisë ndodhet në takimin e 27-të ndërkombëtar të konferencës "Siguria globale, sfidat në rritje", u shpreh se Qeveria do të bëjë çdo gjë për të ofruar sigurinë që kërkon opozita. Ndonëse nuk dha detaje mbi mënyrën e zgjidhjes së situatës, kreu i maxhorancës, u tha para të pranishmëve se e konsideron si detyrim moral plotësimin e kërkesave të opozitës. "Pyetjeve të bashkëpunëtorëve të mi, unë iu përgjigja se detyra e Qeverisë sime është t'i jap siguri të plotë opozitës. Kështu, ne futëm një ligj plotësisht konsensual, rregulla dhe instruksione në këto zgjedhje dhe të drejtën e vetos, për çdo komisioner, çdo observues. Unë jam shumë i bindur se si Qeveri duhet të bëjmë çdo gjë që t'i japim sigurinë më të mirë opozitës. Ky është një detyrim moral dhe ne do ta bëjmë", tha Berisha. Kreu i Qeverisë foli edhe për procesin e 28 qershorit duke deklaruar, ndryshe nga pretendimet e opozitës, se ato u zhvilluan të lira dhe të ndershme. "Këto zgjedhje ishin unike në historinë e vendit tim. Ato u mbajtën në një situatë totalisht të ndryshme, me një teknologji totalisht të re, lista votuesish digjitale, pasaporta biometrike digjitale e karta identiteti. Unë vendosa të pranoj çdo propozim të opozitës dhe kisha të drejtë", tha Kryeministri. Përpara të pranishmëve,0 Berisha tha se mbetet "i përkushtuar ndaj idealeve të mia të para në jetën time politike, të cilat ishin shumë të thjeshta: votë e lirë, fjalë e lirë". Në këtë konferencë ndërkombëtare për sigurinë, Berisha ndau me të pranishmit edhe sfidat e sigurisë, duke u përqendruar në detyrat e Shqipërisë pas anëtarësimit të plotë në NATO, si dhe kontributin në fushën e arsimit duke ofruar ndërtimin e 8 shkollave në Afganistan dhe dhënien e 100 bursave për studentët. Ai theksoi detyrat e vendit tonë në angazhimin në Afganistan, por u ndal edhe në proceset integruese të Shqipërisë. "Gjatë këtij viti, ka pasur shumë vendime vendimtare për vendin tim. Pas zgjedhjeve, ministrat e BE-së votuan për Shqipërinë për të hapur negociatat për statusin kandidat. 2284 pyetje iu dhanë vendit tim, të cilave ne iu përgjigjëm, ia dërguam Komisionit Europian dhe tani po presim për vlerësimin e tyre. Në mes të muajit maj, Këshilli i Komisionerëve të BE vendosi të rekomandonte heqjen e vizave për Shqipërinë. Pa dyshim, ne bëmë çdo gjë për të përmbushur çdo standard. Dhe ky ishte gjithashtu një motiv shumë i madh për vendin tim", tha Kryeministri, duke theksuar më tej se rruga e integrimi është e vështirë, por perspektiva mbetet e sigurtë. Kreu i Qeverisë shqiptare rishprehu vlerësim se për rajonin tonë, i cili ka përballuar vështirësi të jashtëzakonshme në të kaluarën, një kapitull i ri është hapur për kombet tona. "Vendet e Ballkanit", theksoi Kryeministri, "po përpiqen të punojnë së bashku për të ardhmen e tyre europiane. Qeveria shqiptare ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë fqinjët". Sipas tij, Pavarësia e Kosovës "ka sjellë një kontribut të madh për paqen dhe stabilitetin. Pas Pavarësisë, Kosova mbajti zgjedhjet lokale dhe lajmi më i madh nuk ishte për fituesit, por komunat e reja serbe krijuan dhe zgjodhën drejtuesit e tyre".