E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Vizat, PS të kontribuojë në këtë fazë



Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta i kërkoi Partisë Socialiste të kontribuojë në këtë fazë që ndodhet procesi i integrimit të vendit. "Opozita duhet të kishte dhënë kontributin e saj gjatë kësaj kohe. Janë miratuar disa ligje, janë miratuar gjithë ato strategji, gjithë ato plane pune. Janë bërë investime të jashtëzakonshme të papara, jo vetëm përsa i takon pasaportave biometrike, por investime të jashtëzakonshme përsa i takon luftës kundër krimit të organizuar. Ne shpresojmë që opozita të jetë pjesë e këtij procesi të paktën tani në etapën e fundit", u shpreh Meta gjatë një interviste në TVSH. Duke folur për detyrimet që i mbeten Shqipërisë për të marrë liberalizimin e vizave, Meta tha se "gjithë ky proces është i bazuar mbi parimin e të qenit strikt mbi realizimin e kritereve teknike. "Shqipëria i ka plotësuar të gjitha në një kohë rekord. Janë tre çështje që janë në vazhdim dhe që pas asnjë diskutim do të përfundojnë në javët e ardhshme. Ky është angazhimi i Qeverisë, por është dhe propozim i Komisionit", u shpreh Meta. Duke folur për transparencën e zgjedhjeve, Meta tha se është për zbatimin e nenit 178 të Kodit zgjedhor. "Fakti që kryetari i PS thotë që nuk jam dakord që të zbatohet ai nen, tregon që përmbajtja e tij është në kundërshtim me kërkesën që z. Rama mund ta quante si kompromis. Mendoj se është e gabuar dhe e papranueshme, për arsye se Kodi Zgjedhor është shkruar nga dy duar, nga dora e Edi Ramës dhe Sali Berishës", u shpreh kreu i LSI-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›