PD: Rama nisi turin e ri të krizës
Partia Demokratike vijon akuzat e ashpra drejtuar kreut të opozitës Edi Rama. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli e ka cilësuar turin e ri të krizës, takimet e kryesocialistit në disa rrethe të vendit. "Edvin Kristaq Kriza apo Edvin 2K nisi turin e ri të krizës, në të cilin nga mëngjesi deri në darkë, krizën e tij të thellë shpirtërore dhe dramën e madhe psikologjike pasi nuk e shëroi dot me ndryshimin e statutit, sipas të cilit, Kryetari i Partisë nuk ikën kur humbet zgjedhjet, përpiqet ta shndërrojë në krizë imagjinare për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare", tha Mëhilli. Sipas zëdhënëses së PD-së "në krizë nuk është një vend që merr pyetësorin e Komisionit Evropian dhe e dorëzon atë me dinjitet të plotë pas 3 muajsh në Bruksel, por je ti dhe grupi i bllokmenëve të rinj që pasi i fute në Parlament p detyrove të qëndrojnë jashtë tij, duke besuar se me dhunë dhe forcë do vish në pushtet". Ajo akuzoi më tej se "bllokmenët e tu të rinj që s'dini ku të fshihni pasuritë e grabitura e plaçkitura, duke shfrytëzuar barbarisht pushtetin që mbani", ndërsa shtoi se greva e urisë u mbështet vetëm nga ish diktatori Ramiz Alia. Zëdhënësja e PD-së u bëri thirrje qytetarëve që të përçmojnë si relike të së kaluarës kreun e opozitës.