Kuvendi, PS ende pa drejtues të komisioneve parlamentare
Pavarësisht se theu bojkotin dhe iu kthye jetës parlamentare në komisione dhe në seanca plenare, grupi i deputetëve socialistë nuk ka normalizuar ende marrëdhëniet e tij me legjislativin. Bëhet fjalë për kushtëzimin me mosplotësimin e detyrimeve për të zgjedhur nënkryetarin e Kuvendit, si dhe kryetarët dhe zëvendëskryetarët e komisioneve parlamentare. Mësohet se grupi i deputetëve do të zgjedhë gjatë kësaj jave drejtuesit e saj në komisionet parlamentare. Në bazë të vendimit të mëparshëm të Kuvendit socialistët do të duhet të drejtojnë me kryetarë të tyre vetëm tre komisione. Kështu, PS-së i është lënë drejtimi me kryetar i Komisionit për Punën, çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ndërsa posti i nënkryetarit i është lënë deputetit Tritan Shehu. Gjithashtu, si edhe në legjislaturën e shkuar, socialistët do të kenë të drejtë të kryesojnë edhe Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, i njohur ndryshe si komisioni i Medias. Gjithashtu, PS duhet të zgjedhë edhe 5 nënkryetarë komisionesh dhe konkretisht në atë të Ligjeve, Ekonomisë, Sigurisë, Veprimtarisë Prodhuese dhe Politikës së Jashtme.