Berisha Garantoj se zgjedhjet lokale do te jene te ndershme
Nga Durrësi, Kryeministri Sali Berisha ka premtuar se zgjedhjet e afërme lokale do të jenë të lira e të ndershme e se qeveria që ai drejton do të angazhohet për një numërim korrekt të votave të sovranit popull. E ndërsa ka garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, moscenim të votës së qytetarëve dhe mbrojtje të saj, Berisha është shprehur i bindur në fitoren e Partisë Demokratike në këto zgjedhje. Lideri demokrat ka marrë pjesë pasditen e djeshme në 20-vjetorin e degës së Partisë Demokratike të Durrësit, qytetit që e ka konsideruar një bastion të vlerave dhe demokracisë. Bindjen për fitoren në Durrës dhe mbarë Shqipërinë Berisha e ka vlerësuar si një fitore të merituar. “Zgjedhjet lokale po trokasin. Ne ju garantojmë se qeveria do të bëjë çdo gjë që vota e qytetarit të numërohet me korrektesën më të madhe. Ne ecim të sigurt drejt finales tonë, drejt fitores së merituar, sepse me vizion të qartë kemi shndërruar ëndrrat më të bukura të çdo shqiptari në realitet. Ne ndërtuam Shqipërinë e infrastrukturës moderne, e shpallëm këtë vit Shqipërinë turistike me Durrësin kurorë të saj”. Si dhe në takimet e tjera, Berisha ka renditur arritjet e qeverisjes së tij dhe bërjen realitet të shumë ëndrrave të qytetarëve shqiptarë gjatë 20 viteve të fundit, duke e vënë theksin në respektimin, zgjerimin dhe konsolidimin e lirive të qytetarëve. Sipas Berishës, rritja 35 herë e të ardhurave për frymë gjatë 20 viteve pavarësisht të qenët një nga vendet më të varfra në botë. Nga Durrësi, Berisha ka uruar jo vetëm për 20-vjetorin e Partisë Demokratike, 20 vjet pluralizëm shumaspektësh, por edhe festën e Krishtlindjes: “Sot shqiptarët festojnë Krishtlindjet më të lirë se kurrë. Gëzuar lindjen e Krishtit! Rroftë Durrësi! Rrofshi ju! Rroftë demokracia”! Në 20-vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike në rrethin e Durrësit morën pjesë disa qindra anëtarë e simpatizantë të partisë, punonjës institucionesh dhe deputetët demokratë. Në fund të fjalës së udhëheqësit demokrat nga tarraca e pallatit të sportit “Ramazan Njala” ku u zhvillua tubimi festiv shpërthyen fishekzjarrë të shumtë që e ndezën qiellin durrsak duke i dhënë natës së Krishtlindjeve një atmosferë të veçantë.