Rama Berisha mbajti peng Kuvendin per te vjedhur serish votat
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pak orë pas përfundimit të seancës 15 orëshe të Parlamentit ka akuzuar Kryeministrin Berisha se kërkon të vjedhë përsëri votat. Në fjalën e tij nga selia rozë, kryesocialisti Rama ka lëshuar akuza ndaj gjuhës së përdorur dje në sallën e Parlamentit nga kreu i qeverisë. Kryetari i Partisë më të madhe opozitare theksoi se Kryeministri Berisha synon vetëm pasurimin e tij personal dhe shkatërrimin ‘barbar’ të sektorëve jetikë të vendit. Lideri i opozitës, e quajti të turpshme seancën e djeshme të Kuvendit, duke akuzuar pikërisht Kryeministrin Berisha se mbajti peng me orë të tëra shqiptarët në ekranin e televizionit deri në orën 5 të mëngjesit. Kryesocialisti Rama tha se Berisha të enjten pasdite deri në orët e para të mëngjesit të së premtes nuk ofroi asnjë zgjidhje për fatin e zgjedhjeve të kaluara, por manifestoi hapur grabitjen e zgjedhjeve të radhës. “Kur e dëgjoja dhe shihja mbrëmë Saliun të sillej dhe të fliste si një mendjehumbur e gojëpërdalë i pashpresë, ndieja pezmatimin e pangushëllueshëm të qindra mijëra pensionistëve që s’do marrim asnjë shpërblim për Vitin e Ri”, tha Rama. Kryetari i PS-së, duke komentuar gjuhën që përdori Kryeministri Berisha për më shumë se tri orë në sallën e Kuvendit tha se “në vend të fjalës së mirë, mbrëmë sërish ky burrë që mund të bëhet edhe mbret, por kurrë zotni, përgojoi nga foltorja e Parlamentit vajzën e një të përndjekuri politik, të cilën e ka zgjedhur PS-ja dhe është zgjedhur të drejtojë opozitën në Shkodër”. E kaluara ‘e hidhur’, që me sa duket është kthyer edhe në një nga pikat e dobëta të Kryeministrit Berisha nuk ka kaluar pa bërë komente nga rivali i tij politik. “Në prag të Krishtlindjeve të vitit 2010, 20 vjet pas rënies së regjimit gjakatar të Enver Hoxhës, Shqipëria meritonte të kishte në drejtim shumë më tepër sesa mjekun e dikurshëm të bllokut të Enverit, Kryeministrin që sot është kthyer në të sëmurin e pashërueshëm e që ka sëmurur Shqipërinë me virusin e gënjeshtrës, shpifjes, fyerjes dhe përbuzjes ndaj vlerave të qytetërimit europian e demokratik”, tha Rama. Sipas tij, Kryeministri ka lënë në harresë edhe sektorin e shëndetësisë, i cili përballet çdo ditë me probleme të rënda për shkak të kushteve të mjerueshme. “Saliu foli edhe për mjekët dhe infermierët, duke sharë njerëz kurajozë që mundësuan lindjen e fëmijës në mes të përmbytjeve në Lezhë. Ndërkohë që skenat mesjetare të heroizmit të mjekëve dhe infermierëve janë të përditshme në realitetet e Shqipërisë”, tha Rama. Ai ka prekur edhe çështjen e veteranëve dhe të të përndjekurve, duke theksuar se një komunist si Berisha nuk mund t’i zgjidhë problemet e tyre. “Saliu nuk tha asgjë të mirë dje për veteranët dhe të përndjekurit. Ata e neverisin figurën e tij, qëkur ai u hodh nga varka e komunizmit. Në prag të Krishtlindjeve 2010, 20 vjet pas rrëzimit të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës dhe Berishës, Shqipëria meritonte të ishte më mirë sesa kjo që ka bërë mjeku i bllokut”, tha Rama. “Në cilin vend të Europës do të mund të përfytyrohej një Parlament si ai i mbrëmshmi, ku Kryeministri merr oborrin e tij duke u zgërdhirë pa asnjë ndjenjë turpi, pa thënë asgjë të mirë e të dobishme për vendin e vet dhe njerëzit, që po i mbyt me ujërat e zeza”, ka theksuar ai. Lideri i opozitës ka shtuar më tej se e gjithë kjo situatë e rëndë ka ardhur si pasojë e vjedhjes së votave nga partia në pushtet, që pasoi me refuzimin e statusit të vendit kandidat nga Europa. “Dje do të diskutohej refuzimi i statusit të kandidatit. Por çdo njeri me një fije arsyeje e pa dhe e dëgjoi arsyen e madhe të mbetjes sonë pas dyerve të Europës, duke dëgjuar Saliun, që pasi la Shqipërinë jashtë, kërkon të hedhë baltë ndaj opozitës. Dje u provua jo vetëm që ai i ka vjedhur zgjedhjet dhe se kërkon të vjedhë të ardhshmet, por u kuptua se vjedhja e zgjedhjeve është rrënja e të gjitha të këqijave”, theksoi Rama.