Kusheriri i Aldo Bares Nallbani Denimin e kam kryer ne Itali
Kushëriri i parë i Aldo Bares, Alxhi Nallbani, i arrestuar në Tiranë për trafik ndërkombëtar droge, ka mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria, duke deklaruar dje në seancën gjyqësore se dënimin e ka kryer në shtetin italian. Ai tha se prej tre vitesh jetonte i lirë në Shqipëri, pasi më parë ishte dënuar në vendin fqinj për të njëjtat akuza që është arrestuar tri ditë më parë në Tiranë. Alxhi është shfaqur i habitur pas leximit të akuzave nga prokurori Besnik Cengu, duke pohuar se “jam i pafajshëm”.
I njohur me pseudonimin “Xhili”, ai ka deklaruar para gjykatëses së gatshme Elbana Lluri, se arrestimi i tij është absurd, pasi ai e ka kryer një herë dënimin. “Nuk e kuptoj përse jam arrestuar. Vendimi është absurd. Në Shqipëri kam ardhur nga Vlora për të bërë kartën e identitetit. Në momentin që aplikova mund të më kishin ndaluar, por s’më thanë gjë. Prej tre vitesh jetoj i lirë”, deklaroi para gjykatës i pandehuri. Ai kërkoi lirimin e tij, argumente të cilat janë mbështetur edhe nga mbrojtësi i tij. Prokurori i çështjes, Besnik Cengu, i ka bërë me dije gjykatës se ndaj të pandehurit rëndojnë tri akuza për: “trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, “organizim dhe drejtim i organizatave kriminale”, si dhe “armëmbajtje pa leje”. Akuza i ka bërë me dije gjykatës se 33-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit në Torino e ka shpallur atë fajtor, duke e dënuar me 14 vjet burgim, ndërsa Gjykata e Kastacionit e ka dënuar me 12 vjet burgim. Për këtë arsye prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, e vendosur më pas edhe nga gjykata. Pas kërkesave paraprake të mbrojtjes dhe prokurorit, gjyqtarja Albana Lluri vendosi masën e arrestit në burg për 33-vjeçarin, i cili u vu në pranga tri ditë më parë në zonën e ish-Bllokut, në katin e tretë të një pallati, pas informacioneve të marra për vendndodhjen e tij. Sipas dosjes hetimore të autoriteteve italiane, Alxhi Nallbani njihet si nga personat më aktivë në trafikimin e drogës për llogari të bandës së drejtuar nga Aldo Bare, me të cilin kishte lidhje fisnore, pasi ishte djali i dajës. Sipas vendimeve të dhëna nga të tre shkallët e gjyqësorit në Itali, organizata e kishte ndarë shtetin italian në dy pjesë, duke krijuar dy grupe pothuajse të pavarura nga njëri-tjetri. Grupi që vepronte në Veri të Italisë, fillimisht e ka pasur qendrën në Torino, por pasi iu sekuestruan disa ngarkesa me drogë nga policia, e zhvendosi bazën në qytetin e Milanos. Ky grup kishte për objektiv shpërndarjen e heroinës dhe kokainës në Veriun e Italisë. Sipas Prokurorisë së Torinos, në krye të këtij grupi ka qenë Edmond Bega, nga Lushnja, i njohur në Shqipëri për disa vjet si president i skuadrës së Lushnjës. Ndërsa grupi tjetër ishte ngarkuar për të pritur drogën që vinte nga Shqipëria, si dhe kishte nën kontroll shpërndarjen e saj në rajone të rëndësishme të Italisë Qendrore dhe asaj Jugore. Ky grup e kishte qendrën në Romë dhe në krye të tij ishte krahu i djathtë i “profesorit”, Enver Dondollaku, 31-vjeç nga Lushnja.