E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Gati për komision hetimor”

Autori i Lajmit: Redaksia

Kryeministri Sali Berisha ka siguruar dje Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se në përputhje me kërkesat në deklaratën e delegacionit të KE-së, mazhoranca është e gatshme të ndërtojë komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet dhe ti japë shumicën opozitës në këtë komision. Deklarata e kreut të qeverisë u bë pak minuta pas konferencës për shtyp të KE-së, ku delegacioni ndërkombëtar i bëri thirrje politikës shqiptare të rigjejë dialogun. “Dua të garantoj presidentin, Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, se koalicioni qeveritar është dakord pikë për pikë me këtë deklaratë. I bëj thirrje Kryetarit të Partisë Socialiste, i cili pati rastin gjatë këtyre ditëve të shohë vullnetin tim të qartë, të palëkundur, për kompromise, koncesionet e nevojshme, në mënyrë që opozita të zërë vendet në Parlament. I bëj thirrje që ta mbështesë deklaratën e Komitetit Presidencial dhe të fillojë menjëherë, bashkërisht, jetësimin e saj në të gjitha pikat, të cilat janë me të vërtetë, do të thosha parime shumë solide për tërësinë e problemit”, - tha Berisha, ndërsa garantoi për ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor. “Unë e garantoj se, që në mbledhjen e parë të Kuvendit, ne jemi të gatshëm, që në prani të deputetëve socialistë, së bashku me ta, të ndërtojmë komisionin, jemi të gatshëm tu japim shumicën dhe kryesinë e komisionit. Pra unë them se në parimet e vendosura, qëndron edhe çelësi i gjithë zgjidhjes së problemit”, - tha ai. Kreu i qeverisë nuk ka dashur të shpjegojë çka u diskutua në tryezën e Topit, por theksoi se deklarata e KE-së është shumë e qartë. “Deklarata është shumë e kthjellët, është kristal e qartë”, - pohoi Berisha. Numri një i Ekzekutivit u tregua i rezervuar dhe për hyrjen ose jo të opozitës në Kuvend, ndërsa pohoi se “unë shpresoj se zoti Rama do ti përgjigjet. Unë jam i gatshëm që ti përgjigjem me veprimet konkrete dhe pritet që edhe zoti Rama ti përgjigjet me veprime konkrete. Unë pres, sigurisht dhe kjo është shumë e qartë këtu në deklaratë, ku thuhet, “u kërkon atyre pa vonim të mëtejshëm të jenë në Parlament”.
Ky lajm është publikuar: 24/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›