E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat, kusht i plotësuar për vizat

Autori i Lajmit: Redaksia

Pajisja e qytetarëve me dokumente të sigurt identifikimi është një kusht i plotësuar nga qeveria shqiptare për liberalizimin e vizave. Vlerësimi ka ardhur nga sekretarja e Shtetit për Tregtinë e Jashtme të Francës, Anne-Marie Idrac, në një vizitë bërë dje në Qendrën e Personalizimit të të Dhënave të Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike. “Pasi u njoh me procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike dhe vizitoi ambientet e qendrës së kompanisë “Aleat”, sekretarja Idrac theksoi se cilësia e lartë e pasaportave biometrike shqiptare përbën tashmë një kusht të plotësuar për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian”, -thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme për këtë vizitë. Sekretarja franceze u prit nga ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, i cili e njohu atë me progresin e bërë dhe numrin e aplikimeve të qytetarëve shqiptarë. Sekretarja e Shtetit për Tregtinë e Jashtme të Francës, Anne-Marie Idrac, deklaroi se ndihej krenare që një kompani franceze po jep një kontribut të vyer dhe po kryen një shërbim të mirë për Shqipërinë. Po dje ministrja franceze zhvilloi takim dhe me kryeministrin Sali Berisha.

Ky lajm është publikuar: 24/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›