E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca pranon: “Negociatat janë të bllokuara”

Autori i Lajmit: S. Topi

Presidenca pranon bllokimin e negociatave mes mazhorancës dhe opozitës. Burime nga Presidenca pohojnë për gazetën “Ballkan” se, megjithëse është diskutuar për orë dhe tashmë për ditë të tëra me Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, por dhe me Kryeministrin Sali Berisha, asnjëra palë nuk është tërhequr nga qëndrimi kryesor i saj, njëra për hapjen e kutive të votimit dhe tjetra për moshapjen e tyre. Burimet pohojnë se secila palë është treguar e gatshme të respektojë rekomandimet e Këshillit të Evropës, por nga ana tjetër duke i interpretuar ato në mënyra të ndryshme nuk ka gjetur zgjidhjen e pranuar dhe nga pala tjetër. Në këtë situatë Presidenca pranon se gjithçka ka ngrirë, edhe pse nuk pranon ta konsiderojë si të dështuar tryezën e thirrur nga presidenti Bamir Topi. Të njëjtat burime sqarojnë më tej se në këtë gjendje Kreu i Shtetit, fillimisht, do të presë për ndonjë reagim konstruktiv nga palët dhe nuk do të ndërhyjë për një tjetër takim, edhe pse, shtojnë burimet, kjo nuk do të zgjasë për shumë kohë, por për momentin gjithçka është bllokuar. Më 13 shkurt Presidenti Topi thirri në një tryezë të përbashkët kryeministrin Sali Berisha dhe Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Pas një diskutimi të gjatë mes palëve, asgjë nuk mori zgjidhje. Rama dhe Berisha këmbëngulën për të mos u tërhequr nga qëndrimet e tyre. Pas kësaj tryeze Topi ndryshoi strategji duke thirrur këtë herë veç e veç secilën palë, por as në këtë mënyrë ai nuk mundi të gjente zgjidhje. Nuk shërbyen për zgjidhjen e situatës as takimet me ambasadorët e KE-së, Helmut Lohan, i Spanjës vend që ka presidencën e radhës të BE-së, Emanuel Montobio dhe amerikanin Xhon Uidhers. Tre ambasadorët zhvilluan takime fillimisht me presidentin Bamir Topi dhe më pas me Ramën e Berishën, duke dhënë dhe rekomandimet e duhura, por gjithçka mbetet ende pa zgjidhje.

Ky lajm është publikuar: 24/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›