E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Prifti-Ibrac Memorandum për energjinë me Francën

Autori i Lajmit: Redaksia

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, priti dje në një takim sekretaren e Shtetit të Francës për Tregtinë e Jashtme, Anne Marie Idrac. Sekretarja franceze mori përsipër të nxisë organizimin e forumeve dhe seminareve për të njohur investitorët francezë me mundësitë që ofron Shqipëria për të bërë biznes. Ndërkaq, duke folur për bashkëpunimin ekonomik me Francën, ministri Prifti tha se në një të ardhme të afërt do të rrisim marrëdhëniet midis Francës dhe Shqipërisë. Ai njohu zyrtaren franceze me resurset e pafundme që ofron Shqipëria për të investuar në sektorin energjetik, më konkretisht në energjinë e rinovueshme, duke u bërë një ftesë të qartë sipërmarrësve francezë, nëpërmjet zyrtares së shtetit francez, që të shfrytëzojnë këto mundësi. Në takim u fol edhe për shkëmbimet tregtare dhe u theksua se shkëmbimet tregtare me Francën gjykohen në një nivel të ulët në raport me mundësitë që ekzistojnë megjithëse tregtia me Francën në përgjithësi rezulton me një rritje konstante nga viti në vit. Gjithashtu, ministri u shpreh se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me Francën mbeten akoma në nivele të limituara referuar mundësive potenciale të bashkëpunimit ekonomik bilateral. Siç dihet, Franca ka mbështetur Shqipërinë në procesin e integrimit në strukturat e BE dhe NATO-s. Shqipëria numëron katër marrëveshje bilaterale të lidhura me Francën në fushën ekonomike. Kompanitë franceze, të cilat kanë investuar në Shqipëri janë: (Eurovia) në Minierën e Bitumit (KLP e cila zotëron 51 % te aksioneve së bashku me një firmë shqiptare të ndërtimit të rrugëve, (Renault, Peugeot, LOréal, Eurovia), si dhe zyra përfaqësimi të firmave (Alcatel, Alstom, Scetauroute, SDMO), Banka Popullore etj”, tha ministri Prifti. Gjatë takimit u nënshkrua edhe një Memorandum Mirëkuptimi mes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe CNR-së, që është një kompani franceze, prodhuesja e dytë më e madhe e energjisë në Francë, që shfrytëzon lumin Ronë për energjinë. Nëpërmjet këtij memorandumi, palët do të mund të analizojnë mundësitë për të bashkëpunuar. Synimi i këtij memorandumi është që të përmirësojnë sigurinë hidrike të lumit Drin në Shqipëri, ashtu si edhe të optimizojnë resurset e tij energjetike. Objekti tjetër është njohja dhe vlerësimi i gjendjes hidrike të basenit të lumit Drin. Në takimin e zhvilluar dy zyrtarët e lartë kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin në të ardhmen në të gjithë sektorët kyç të ekonomisë.

Ky lajm është publikuar: 24/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›