E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Gati projektet e qeverisë në ndihmë të romëve

15/04/2011  Lëvrohen 1.3 miliardë lekë për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë

“Nismë e rëndësishme për të kapërcyer pasojat e një diskriminimi shumë të thellë”

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha veçoi si një çështje të rëndësishme hartimin e projekteve në ndihmë të komunitetit rom. Pjesë e këtyre projekteve përfshihen strehimi, shkollimi, si dhe ofrimi i shërbimit shëndetësor falas ndaj këtij komuniteti. “Dua të shtroj sot dhe një çështje të dytë. Disa ditë më parë ne inauguruam në Durrës një projekt shumë të rëndësishëm për 100 banesa për komunitetin rom. Unë do të vlerësoja shumë që këtë eksperiencë pozitive, me të cilën ju garantoj është punuar jo pak, por 2 vjet, deri në atë fazë të cilën e kam ndjekur me deputetin e zonës dhe ekspertët”, tha dje Berisha. Nga ana e tij, kryeministri vlerësoi si një eksperiencë pozitive projektin e 100 banesave për komunitetin rom të Durrësit, i cili përfshinte gjithashtu edhe elementë të tjerë, si: shkollën, kopshtin e qendrën shëndetësore për ta. Duke kërkuar që ky model të ndiqej edhe në qytete të tjera ku është i pranishëm ky komunitet, kryeministri u shpreh se kjo do të ishte një nismë shumë e rëndësishme antidiskriminuese për të mos ndodhur më ngjarje të shëmtuara si ajo me komunitetin rom në Tiranë. Gjithashtu kryeministri u ndal në një vendim tjetër të rëndësishëm, atë të rimbursimit të pajisjeve fiskale dhe të taksimetrave në 7 komuna dhe tri bashki. Berisha theksoi se këto kasa paraqesin pasaportën biometrike të biznesmenëve, duke rritur në mënyrë të ndejshme dinjitetin, sigurinë, respektin e qytetarëve ndaj biznesmenëve.

Të përndjekurit

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri veçoi edhe vendimin për lëvrimin e 1.3 miliardë lekëve të tjera për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, ku do të përparësohen të gjithë personat mbi 75 vjeç të këtij komuniteti. “Sot (dje) kemi edhe një vendim tjetër të rëndësishëm për të përndjekurit politikë, edhe 1.3 miliardë lekë të tjera lëvrohen për dëmshpërblimin e tyre. Pra, ky proces po ecën në mënyrën më serioze dhe sot vendosim të përparësojmë të gjithë personat mbi 75 vjeç të këtij komuniteti”, u shpreh Berisha.

Takimi në Kryeministri

Sannino: ODIHR-i do të vlerësojë rolin e çdo partie në zgjedhje

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në BE, Stefano Sannino, zhvilloi dje një takim me kryeministrin Sali Berisha. Gjatë takimit, Sannino deklaroi se raporti përfundimtar për zgjedhjet vendore do të pasqyrojë dhe rolin specifik që ka pasur çdo forcë politike në mbarëvajtjen e tyre. “Zoti Sannino theksoi rëndësinë e madhe që zgjedhjet vendore kanë për Shqipërinë jo vetëm në planin e brendshëm, por dhe në atë të integrimit. Ai theksoi rëndësinë që kanë konkluzionet e raportit të ODIHR-it, që do të bëhen në fund të vitit, dhe se do të vlerësohet kontributi i secilit aktor në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë për takimin e zhvilluar dje paradite. Drejtori i BE-së ka mbështetur miratimin sa më të shpejtë të Planit të Veprimit e theksoi nevojën për arritjen e një metodologjie për trajtimin e përbashkët të problematikave që shtrojnë 12 prioritetet, rëndësinë për të ruajtur vëmendjen dhe ritmin e punës në procesin e integrimit evropian edhe pas zgjedhjeve. Gjatë takimit, kryeministri Sali Berisha siguroi bashkëbiseduesit se qeveria do të bëjë çdo gjë që është në dorën e saj për të garantuar suksesin e procesit të integrimit. Kryeministri Berisha mbështeti plotësisht bashkëpunimin e Ministrisë së Integrimit me Komisionin për Integrimin të Kuvendit, duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që ky Komision luan në këtë proces. Duke folur për procesin zgjedhor, kryeministri e njohu drejtorin e BE me një seri masash të marra në kuadër të përmirësimit cilësor të procesit zgjedhor. Nga ana tjetër, Berisha dënoi incidentet e ndodhura gjatë fushatës, duke theksuar se nuk ekzistojnë shkaqe për tensionimin e fushatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›