E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Gati të amendoj ligjin që Rama të kandidojë

 

Kryeministri Berisha nis fushatën elektorale nga dy bastione të PD-së, Shijaku dhe Kavaja. Kreu i qeverisë i ka bërë sërish thirrje liderit të PS-së Edi Rama që të hyjë në garën elektorale, madje duke u shprehur i gatshëm të amendojë ligjin “Për Pushtetin Vendor” lidhur me kandidimin e kryetarit të bashkisë. “Opozita është në pikën e saj më të çoroditur se kurrë ndonjëherë. Ajo po rend sot nëpër Shqipëri si njeriu pa kokë. Ndaj unë dua t’i bëj thirrje Edi Ramës; lëshoje karrigen e Bashkisë së Tiranës, shko dhe regjistrohu si kandidat për deputet. Nëse do mbledhim sërish parlamentin, ndryshojmë ligjin dhe dil në krye të garës elektorale, dil dhe priju anëtarëve dhe mbështetësve të tu, sepse kështu e do rregulli, kështu e do burrnia, kështu e do pluralizmi, kështu e do Shqipëria, kështu e do demokracia”, u shpreh dje nga Kavaja kreu i qeverisë, ku prezantoi edhe kandidatët për deputetë Luan Skuqi e Galip Rramadhi. Në të njëjtën kohë kreu i ekzekutivit i bëri thirrje qytetarëve të këtyre dy zonave që të aplikojnë për kartat e identitetit për të mundësuar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Nga Shijaku ku prezantoi kandidatët Osman Metalla dhe Dardan Domi Berisha tha se në katër vjet janë investuar 1.1 miliard lekë. “Këtë vit, ne paguajmë për rrogtarët e shtetit, pensionistët 30 për qind më shumë, sesa Bullgaria dhe Rumania që kanë qenë shumë herë më të zhvilluara. Unë zotohem para jush se pas 4 vitesh ne do të kalojmë jo dy, por edhe 4 vende të tjera anëtare të BE-së”, vijoi më tej kryeministri Berisha. Duke u fokusuar në politikën e jashtme të Shqipërisë kreu i ekzekutivit u shpreh se në katër vjet u bë e mundur ratifikimi i MSA-së nga 27 vende, aplikimi për marrjen e statusit kandidat dhe anëtarësimi me të drejta të plota në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›