E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, PD ndan zonat për deputetët në Tiranë

 

Adi Shkëmbi

Partia Demokratike ka ndarë zonat ku kandidatët e saj do të bëjnë fushatë në Qarkun e Tiranës. 32 kandidatët janë mbledhur në selinë blu dhe gjatë takimit të drejtuar nga kryetari i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi janë ndarë zonat, ku ndryshe nga katër vjet më parë, tani janë përfshirë edhe disa komuna rreth Tiranës si dhe Kavaja. Kështu, sipas kësaj ndarje, vetë kreu i demokratëve të Tiranës do të bëjë fushatë në dy zona ku PD-ja ka fituar zgjedhjet në 18 shkurt 2007. Bumçi do të kërkojë votat e elektoratit në njësinë 11 në Laprakë dhe njësinë 8, ku ai ka qenë edhe kryetar i grupit të punës për zgjedhjet në parti. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani do të kandidojë në zonën ku doli deputet katër vjet më parë, në Kombinat, ndërkohë që veç kësaj njësie ai do të bëjë fushatë edhe në Bashkinë e Vorës. Ministrja e Integrimit, njëherësh edhe zëdhënëse e qeverisë, Majlinda Bregu do të kandidojë në njësinë nr. 9, e cila në vitin 2005 nxori deputet presidentin Bamir Topi, ndërsa dy vjet më vonë Edi Palokën. Gerti Bogdani, i zgjedhur kryetar i minibashkisë 10 në zgjedhjet e 18 shkurtit ndonëse do të japë dorëheqjen nga ky post, do të jetë sërish përfaqësues i kësaj zone. Por ndryshe nga dy vjet më parë ai do ta përfaqësojë qytetarët e njësisë 10 në parlament pas 28 qershorit. Gjatë mbledhjes së dy ditëve më parë është vendosur që zv/ministri i Brendshëm Genti Strazimiri të bëjë fushatë në periferi të Tiranës, pikërisht në komunën Dajt, ndërsa zv/ministri i Financave, Florjon Mima do të kandidojë në njësinë 1, e cila dy vjet më parë u fitua nga Partia Socialiste. Ndonëse është vendosur në një vend të sigurt në listë, ish-zv/kryeministri Ilir Rusmali do të bëjë fushatë në një zonë të vështirë, në njësinë 4. Zgjedhjet e fundit në të cilat PD-ja ka fituar në këtë zonë ka qenë pikërisht viti 2001 kur Paloka mori më shumë vota se kandidati i PS-së, Luan Hajdaraga. Ndërkohë që në zgjedhjet e vitit 2003, 2005 dhe 2007 kanë fituar përfaqësuesit e PS-së. Këshilltari i kryeministrit Berisha për arsimin, Myqerem Tafaj do të kandidojë në dy njësi, të cilat në vitin 2007 u fituan nga PD-ja, bashkitë Kamëz dhe Paskuqan. I rikthyer në listat e Partisë Demokratike, Tritan Shehu do të kandidojë në njësinë 3, ndërsa Arben Imami, shefi i kabinetit të kryeministrit do të bëjë fushatë në njësinë 7. Nga lista me 32 emra e PD-së, Luan Skuqi, Galip Ramadhi dhe Arta Sakja do të bëjnë fushatë në Kavajë dhe Rrogozhinë, zona të cilat janë fituar nga PD-ja në vitin 2005. Kandidatja për PD-në e Tiranës, Lajla Përnaska e cila renditet e 15-ta në listën e këtij qarku do të bëjë fushatë në njësinë dy, nga e cila doli deputete katër vjet më parë me siglën e Partisë Republikane, ndërsa ministri i ri i Punës, Viktor Gumi do të kandidojë në njësinë 5. Kreu i KESH-it Gjergj Bojaxhi do të jetë në të njëjtën zonë me zv/ministrin Mima, në njësinë 1.

Ndarja e kandidatëve

Aldo Bumçi-         njësia 11, 8
Bujar Nishani-     njësia 6, Vorë
Majlinda Bregu-     njësia 9
Gert Bogdani-     njësia 10
Gent Strazimiri-     Dajt
Florjon Mima-     njësia 1
Ilir Rusmali-         njësia 4
Myqerem Tafaj- Kamëz, Paskuqan
Luan Skuqi-         Rrogozhinë
Tritan Shehu-     njësia 3
Arben Imami-     njësia 7
Lajla Përnaska-     njësia 2
Viktor Gumi-         njësia 5
Kastriot Sulko-     njësia 11
Galip Ramadhi-     Kavajë
Taulant Bino-     njësia 5
Gjergj Bojaxhi-     njësia 1
Arben Qirjako-     njësia 4
Ferdinand Shehu-     njësia 5
Arta Sakja-         Kavajë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›