E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e re, kompensimet bashkë me pensionin



Jonida Tashi

Kompensimet e pensionit që përfiton mosha e tretë, sipas rregullores së re, do të merren bashkë me këstin mujor. Pagesa e përfitimeve mujore mund të realizohet edhe mbi bazën e listë-pagesave, të cilat hartohen nga drejtoritë rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Në këtë rast, akti që autorizon pagesën emërtohet “Urdhërpagesë e listuar” dhe përmban nominalisht të evidentuar në rreshta të gjitha të dhënat e urdhërpagesës individuale. Në këto raste, urdhërpagesat individuale, që autorizojnë pagesën e një përfitimi, mbahen në zyrën e financës, evidentohen në një regjistër progresiv dhe shërbejnë si bazë për ndërtimin e urdhërpagesës së listuar dhe kontrollin e ligjshmërisë së pagesave të kryera. Pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar paguhen në Postën Shqiptare ose në bankat e nivelit të dytë.
Pagesa
Pagesa e pensioneve bëhet sipas dispozitave ligjore në fuqi në fushën e pagesave dhe sipas rregullave të përcaktuara në marrëveshje të posaçme të lidhur midis ISSH-së dhe agjentëve pagues të zgjedhur. Pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar, të caktuara nga data 1.1.2006 e në vazhdim, me kërkesë të pensionistit, përveç postës, mund të paguhen edhe në bankat e nivelit të dytë, me të cilat ISSH-ja ka një marrëveshje. Për rastet kur e drejta për përfitimin e pensionit apo përfitimeve të tjera fillon më vonë se data 1 e muajit, shuma e përfitimeve llogaritet dhe autorizohet për pagesë vetëm për ditët e tjera që mbeten nga data e caktuar deri në fund të muajit. Për shembull, kur e drejta e pensionit fillon më datë 13 të muajit, atëherë pensioni llogaritet dhe paguhet për 18 ditë të muajit të parë, ndërsa për muajt e tjerë pensioni paguhet i plotë. Për efekt llogaritjeje, shuma e përfitimit mujor pjesëtohet me 30 ditë dhe shumëzohet me numrin e ditëve që duhet të paguhet. Kur pensioni mbyllet për shkak se pensionisti vdes ose i hiqet grupi i invaliditetit para kohe etj, nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore plotësohet urdhër-mbyllja në tri kopje, nga të cilat një kopje mbahet në DRSSH dhe dy dërgohen zyrtarisht në qendrën paguese. Mbas konfirmimit zyrtar të periudhës së fundit të pagesave të kryera, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në dokumentin “Urdhër-mbyllje”, qendra e pagesës mban vetë një kopje të tij, e lidh dhe e arkivon në arkivin e saj së bashku me urdhërpagesën e mbyllur, ndërsa një kopje e dërgon zyrtarisht në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, nga e cila përdoret për të llogaritur diferencat apo për të kryer veprimet administrative përkatëse të mbylljes së pensionit. Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe në rastet kur pensioni paguhet nga ndërmarrjet, siç është rasti për invalidët e pjesshëm.
Kompensimi
Përveç pensionit, pensionistët përfitojnë edhe kompensime për vete dhe personat në ngarkim nga ndryshimi i çmimit të lëndëve djegëse, energjisë elektrike, të bukës dhe të artikujve të tjerë ushqimorë. Kompensimi i energjisë elektrike për pensionistët do të bëhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Megjithëse në të gjithë vendin numërohen rreth 550 mijë pensionistë, jo të gjithë do të përfitojnë nga kompensimi i rritjes së energjisë elektrike. Kjo pasi vetëm njëri prej dy pensionistëve do të mund të marrë pagesën prej 500 lekësh. Për të bërë të mundur mbarëvajtjen e procesit të shpërndarjes së kompensimit të energjisë elektrike do të hartohen urdhërpagesat e reja për të gjithë pensionistët në të gjithë vendin. Qeveria ka përcaktuar, me një vendim të saj, kategoritë e pensionistëve që mund të përfitojnë shtesa në pensionet e tyre si rezultat i rritjes së kostos së jetës. Vendimi i qeverisë ka përcaktuar edhe masën që përfitohet në kushte të tilla. Pensionistët, në këto momente, kur disa produkte bazë kanë njohur çmime të larta, ndodhen në kushtet më të vështira, çka u lejon që të kërkojnë kompensimin që ua njeh ligji. Udhëzimi që zbatohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, bën shpërndarjen e kompensimit mbi pensionin bazë, njëkohësisht edhe mbi rritjen që pensionet mund të kenë.
Përfituesit
Akti i qeverisë ka përcaktuar edhe kategoritë që mund të përfitojnë kompensim financiar. Pensionistëve, atyre që përfitojnë pensione qyteti, pleqërie, invaliditeti dhe familjar, edhe mbas rritjes, nuk u preken të gjitha kompensimet e të ardhurave mujore të përfituara nga vendimet e veçanta të Këshillit të Ministrave. Sipas vendimit, kompensimi do të jetë i përcaktuar dhe i paprekur, edhe pse pensioni mund të jetë rritur kohet e fundit. Sipas vendimit të qeverisë, është përcaktuar se pensionet e reja të qytetit do të kompensohen sipas kritereve të përcaktuara atëherë kur të ardhurat mujore të tyre rezultojnë në shumën deri në 10 410 lekë. Të ardhurat mujore të pensionistëve të qytetit, që do të përfitojnë pensione të pjesshme, pleqërie, invaliditeti dhe familjare, do të kompensohen në proporcion mes pensionit individual të llogaritur dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 760 lekë në muaj dhe në çdo rast kur shuma e të ardhurave të tyre mujore është në kufirin deri në 10 410 lekë. Në rast se pensioni bazë është më i lartë se shuma 10 410 lekë, atëherë pensionisti nuk ka të drejtë për të kërkuar kompensim financiar. Pensionet e reja të fshatit do të kompensohen sipas kritereve të përcaktuara në vendimin e qeverisë të vitit 2007, që përcakton kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve të fshatit, atëherë kur të ardhurat mujore të tyre rezultojnë në shumën deri në 5 410 lekë. Të ardhurat mujore të pensionistëve të fshatit, që do të përfitojnë pensione të pjesshme, pleqërie, invaliditeti dhe familjare, do të kompensohen në proporcion mes pensionit individual të llogaritur dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 690 lekë në muaj dhe në çdo rast kur shuma e të ardhurave të tyre mujore është në kufirin deri në 5 410 lekë. Në rast se pensioni bazë është më i lartë se shuma 5 410 lekë, atëherë nuk ke të drejtë për të kërkuar kompensim financiar.

Masa e kompensimit sipas kategorive
Pensionistët kompensohen:
a) sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në vendimet nr. 401, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, dhe nr. 763, datë 27.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, pensionistët, që do të përfitojnë pension të plotë pleqërie, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përjashtuar ato, të caktuara sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të këtij ligji, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, kur të ardhurat mujore të tyre janë deri në 11 275 lekë, ndërsa të ardhurat për pensionistët, që do të marrin pension të pjesshëm, kompensohen në proporcion ndërmjet pensionit individual dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 1 260 lekë në muaj.
b)sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në Vendimin nr. 763, datë 27.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, pensionistët, që do të përfitojnë pension të plotë invaliditeti apo familjar, sipas Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përjashtuar ato, të caktuara sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të këtij ligji, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, kur të ardhurat e tyre mujore janë deri në 10 775 lekë, ndërsa të ardhurat për invalidët, që do të marrin pensione të pjesshme, kompensohen në proporcion ndërmjet pensionit individual dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 760 lekë në muaj.
c)sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në Vendimin nr. 17, datë 20.1.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, pensionistët që do të përfitojnë pension të plotë pleqërie, invaliditeti ose familjar, sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, kur të ardhurat mujore të tyre janë deri në 6 090 lekë, ndërsa të ardhurat për pensionistët, që marrin pension të pjesshëm, kompensohen në proporcion ndërmjet pensionit individual dhe pensionit të plotë, por jo më shumë se 690 lekë në muaj.

30 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›