E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Prioriteti im, zgjedhjet e lira e të ndershme”



Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha ka mbyllur dje vitin 2008 me një konferencë për shtyp në të cilën ka bërë bilancin e punës së qeverisë gjatë këtij viti si dhe ka shprehur objektivat e vitit të ardhshëm. Pas konferencës, kryeministri ka shtruar një koktejl për përfaqësuesit e mediave të pranishme në këtë konferencë. Gjatë fjalës së mbajtur, kreu i qeverisë e ka cilësuar vitin 2008 një vit të reformave të mëdha dhe veçanërisht një vit të reformave konsensuale, duke përmendur miratimin me konsensusin e PS-së të Kodit Zgjedhor dhe të ligjit “Për Prokurorinë”. Më tej, kryeministri Berisha ka bërë të ditur si prioritet parësor të tij dhe të qeverisë që drejton zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Bilanci
“Viti 2008 ishte viti i reformave të mëdha e të gjithanshme. U arritën konsensuset. Si në asnjë vit tjetër reformat nisën me konsensus dhe u mbyllën me konsensuset “Për reformën zgjedhore” dhe ligjin “Për prokurorinë”. Këto reforma kanë konsoliduar institucionet e vendit, kanë shkëputur Shqipërinë nga Dushku dhe kanë hedhur bazën për një sistem të lirë zgjedhor”, - ka pohuar Berisha. Sipas kryeministrit, sukses është arritur edhe në reformat ekonomike dhe në luftën kundër korrupsionit. “Reforma janë bërë edhe në fusha të tjera si reforma fiskale dhe ajo ekonomike. Ky ishte viti i rezultateve të mëdha të këtyre reformave. Në 2008-n, Shqipëria ka lënë mbrapa 51 vende të botës me reformën ekonomike. Gjithashtu, ajo u rendit në 10 vendet e para të botës dhe e para në Ballkan për reformat në luftën kundër korrupsionit”, - ka deklaruar Berisha. Kryeministri ka vlerësuar si momente historike edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës, marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO dhe zgjedhjen e Barak Obamës si president të SHBA-ve.
Objektivat
Kryeministri ka bërë të ditur se objektiv i tij do të jetë mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ai ka pohuar se në muajin janar do të nisë pajisja e qytetarëve me letërnjoftime, karta identiteti e pasaporta biometrike. “Do të bëj përpjekje për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Do të garantoj votën e lirë të qytetarëve dhe do të respektoj verdiktin e tyre. Qëllimi më madhor janë zgjedhjet”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Sipas kreut të qeverisë, pajisja me karta identiteti do të fillojë në muajin janar. “Ka interes nga qytetarët. Do të bëjmë përpjekje që ky interes të përballohet. Heqja e tvsh-së për kartat e identitetit dhe e disa tarifave të tjera e ka bërë të mundur të blihet nga qytetarët shqiptarë. Do negociojmë me opozitën që të bëjmë disa ndërhyrje teknike”, - është shprehur Berisha. Më tej, ai ka shprehur besimin se Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO në samitin që pritet të mbahet në muajin prill të vitit të ardhshëm. Po kështu, kreu i Ekzekutivit tha se qeveria do të bëjë kërkesë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. “Do të bëjmë kërkesë për statusin e kandidatit në BE. Shpresoj të gjejmë mirëkuptim. Jemi të vendosur të bëjmë të gjitha reformat e domosdoshme”, - është shprehur Berisha. I pyetur për rrugën Durrës-Kukës, Berisha tha se do ta përurojë atë para zgjedhjeve ndërkohë që e cilësoi meritë të tij realizimin e një projekti ëndërr që bashkon dy kombe. “Rrugën nuk e përmenda sepse do ta inauguroj. Do të inaugurohet qartësisht para zgjedhjeve. Datën nuk po e them se nuk e kam për mbarë të them data. Merita ime është se po shndërroj në realitet një projekt ëndërr që bashkon dy pjesët e kombit”, - është shprehur Berisha. Ndërsa për liberalizimin e vizave, kryeministri bëri të ditur se ky proces do të realizohet pasi qytetarët shqiptarë të pajisen me karta identiteti e pasaporta biometrike. Berisha premtoi se gjatë vitit të ardhshëm nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë një premtim të mbajtur të tijin për shkak të zbatimit të një politike të re nga KESH-i.

30 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›