Vrasja e gazetares, arrestohet burri
Rreth dy vjet e gjysmë pas krimit që i mori jetën në moshën 25-vjeçare gazetares lokale Melita Rubi, i shoqi është kapur nga policia, pas shpalljes në kërkim për vrasje me dashje në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Vrasja që u deklarua vetëvrasje, u bë e ditur nga akuza durrsake rreth pesë muaj pas vdekjes së Rubit në shtëpinë e bashkëshortit të saj në fshatin Koxhas të Durrësit. Ditën e djeshme, policia ka kapur Bentjan Shikën, person i shpallur në kërkim për këtë krim, ndërsa e motra është ndaluar më parë. Kapja e Shikës 30 vjeç është bërë nga një bashkëpunim mes Policisë së Durrësit dhe Tiranës, në kryeqytet, ku ai ishte punësuar duke arritur t‘u shmangej organeve hetimore. I konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë, ai është kapur rreth orës 11.00 të ditës së martë, pasi dyshohet se më 5 shkurt të vitit 2006, në bashkëpunim me motrën e tij, Nadire, ka vrarë bashkëshorten Melita Rubi. Gjykata e Rrethit Durrës ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurimit personal "arrest në burg" dhe hetimet vazhdojnë prej dy vjetësh. Ai u arrestua nga policia në qershorin e vitit 2006, por nuk dihet se në ç‘rrethana ka dalë jashtë qelive të paraburgimit dhe u shpall rishtas në kërkim. Në korrik të vitit 2006, kur u zhvillua seanca për vlerësimin e masës së arrestit, përfaqësuesi i organit të akuzës për çështjen vlerësoi se ekspertimet e vlerësuesit, balistikut, krahasuesit, mjekut ligjor, testet kimike mbi veshjet, kopjuesit etj., të mbledhura dhe të analizuara me kujdes nga një grup prej 5 prokurorësh e oficerësh gjyqësorë, përbëjnë prova të pakontestueshme që akuzojnë vëllain dhe motrën për krimin e vrasjes në bashkëpunim. Ndërkaq, gjatë të gjithë kohës Shika së bashku me të motrën, atëherë 18-vjeçare, kanë qëndruar në pozita mohuese në lidhje me krimin që i mori jetën të resë Melita Rubi nga Sukthi i Durrësit. Vajza që kishte pasion gazetarinë dhe punoi për një periudhë kohe në një nga televizionet lokale të Durrësit, "Adriatik TV", u nda nga jeta nga shkrepja e një pistolete, që fillimisht u deklarua se u bë nga duart e vetë viktimës. Dyshimet kryesore për të shtënën rëndojnë mbi kunatën e viktimës. Po sipas prokurorit të çështjes, Ed Karriqit, provat shkencore janë të pakundërshtueshme dhe dëshmojnë për një vrasje të qartë. Shkrepja e armës pistoletë, tip "Zastava", është bërë nga një distancë prej afro 50 cm larg trupit të viktimës, gjë që e bën të pamundur shkrepjen e armës me dorën e viktimës. Gjithashtu dhe vendi ku është marrë plaga vdekjeprurëse nuk është tipik për një vetëvrasje. Një tjetër provë që mbështet akuzën është fakti se në duart e kunatës 18-vjeçare të viktimës janë gjetur elemente të gazrave që lëshon baruti gjatë shkrepjes së armës. Për prokurorin e çështjes, provat balistike janë të pakundërshtueshme dhe hedhin poshtë plotësisht hipotezën e vetëvrasjes të mbrojtur me fanatizëm nga njerëzit e atyre që akuzohen si vrasës në bashkëpunim të nuses së shtëpisë. Për muaj të tërë, vdekja e Rubit qëndroi mes dritëhijeve të një vepre ende të padeshifruar, për t‘u shndërruar nga një vetëvrasje e deklaruar dhe e mbrojtur me forcë nga familja e burrit të saj, në një vrasje me dashje. Dyshimet për një vrasje të mundshme kishin ekzistuar që në fillim, por gjithçka duhej provuar për të ngritur më pas akuzën e vrasjes.