"The Guardian" zbret në Burrel për akuzat e Karla del Pontes
Historia e shtëpisë së tmerreve, që tregon në librin e saj ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla del Ponte, është kthyer në vëmendje të opinionit publik, kësaj radhe në Britaninë e Madhe. Gazetari Pol Luis, i "The Guardian", udhëtoi në Burrel, në shtëpinë e sipërpërmendur. Sipas artikullit të gazetës prestigjioze britanike, shtëpia do të vihet sërish në vëmendje, kur Dik Marti, hetuesi special i mandatuar nga Këshilli i Evropës dhe skuadra e tij do të riekzaminojë shtëpinë 7 milje në jug të Burrelit. Në artikull thuhet se hetimet në "shtëpinë klinikë" u bënë të ditura në muajin prill, kur ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla del Ponte, kishte thënë që ekziston një raport "i besueshëm" mbi fatin e ushtarëve serbë në këtë zonë. Del Ponte tha se hetimet e saj u ndërprenë për shkak të mungesës së evidencës dhe rezistencës së disa figurave më të vjetra në OKB. Sidoqoftë, "The Guardian" arriti të ketë në dispozicioni raportin e një ekzaminimi mjekoligjor të bërë nga ekspertë të OKB në shtëpinë e Katuçit. Raporti i ekspertit të OKB-së, Hoze Pablo Barajbar, në fillim besohej se kishte humbur. Edhe pse jo i plotë, tregon për gjurmë gjaku, që mund të kishin qenë gjak njeriu në dy dhomat e poshtme të shtëpisë. Në një përrua aty pranë, thuhet në raport, janë gjetur materiale që konsistojnë "jo kontradiktore me ato kirurgjikale", si shiringa, hape për gjumë, si dhe 4 shishe boshe që kanë pasur përmbajtje droge. Duke përfshirë një që përmbante dhe ilaç për relaksimin e muskujve. I pyetur në lidhje me gjurmët e gjakut që janë gjetur nga skuadra e OKB, i zoti i shtëpisë, Mersin Katuçi, tha se gruaja e tij kishte lindur në atë dhomë dhe se ato pajisje ishin përdorur nga anëtarët e familjes së tij gjatë lindjes, pasi spitali më i afërt ishte disa orë larg. Por Barajbar, ish-drejtori i grupit të OKB-së për personat e humbur në Kosovë, tha se skuadra e tij kishte gjetur "evidenca të sakta" që saktësonin se aty kishte ndodhur heqja e organeve. Gjithashtu, prokurori kishte marrë dëshmi nga 8 dëshmitarë, mes tyre të ushtarëve, të cilët pretendonin të kenë qenë aty gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, si dhe të një shoferi, i cili pretendonte se kishte sjellë vetë në këtë shtëpi një grup të vogël ushtarësh serb, duke i kaluar nga kufiri me Kosovën. Më pas, shoferi përshkruante se kishte marrë paketa, të cilat i dërgonte në aeroportin e Tiranës dhe kishin destinacion Turqinë. Sipas dëshmisë, kirurgu që kryente operacionet ishte identifikuar si një doktor kosovar nga Peja, thotë Barajbar. Ndërkohë, në artikullin e "The Guardian" sillen deklarimet e banorëve të shtëpisë, të cilët e konsiderojnë të gjithë historinë një sajesë të tmerrshme. "A dukemi si një familje që mund të bëjmë të tilla gjëra", thotë nipi i Katuçit, Defrim Kadriu, 32 vjeç. A mos vallë kjo shtëpi është e përshtatshme për të trajtuar 300 persona? Nëse është e vërtetë, atëherë familja ime le të varet përpara të gjithëve", përfundon ai.