Nuk e dinte që kërkohej, shqiptari shkon vetë te karabinierët
Shkon në zyrat e karabinierisë për të bërë një denoncim dhe del prej andej me pranga në duar. Ky ka qenë fati i një emigranti shqiptar në Itali, i cili, pas arrestimit, pret të ekstradohet në atdhe, ku do të kryejë dhe dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare. Agron R. Mema, thuajse e kishte harruar ndodhinë e vitit 1998, kur një hajdut kishte hyrë në dyqanin e familjes së tij për të vjedhur dhe atyre u ishte dashur të mbroheshin ndaj tij, po një dekadë më pas, në çastin e ndalimit, ngjarja i është kthyer e plotë në kujtesë. Një vendim i Apelit të Durrësit dhe shpallja e emigrantit person në kërkim, për një krim të ndodhur 10 vite të shkuara, ka bërë që durrsaku 40-vjeçar të prangoset në Bergamo, të Italisë, për një ngjarje që e quante të harruar. E ndërsa ai vazhdonte normalisht jetën e tij në shtetin fqinj, ku ishte me dokumente të rregullta, organet e drejtësisë e kanë shpallur fajtor dhe dënuar me 5 vjet heqje lirie për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Emigranti, nga reagimet që ka pasur, ka dëshmuar se nuk ishte në dijeni të këtij dënimi dhe mediat italiane raportojnë se ka shkuar qetë-qetë në stacionin e karabinierisë të Ponte San Pietros, për të bërë një denoncim për humbje dokumentesh. Burimet italiane të informacionit nuk e kanë bërë të ditur emrin e emigrantit, por burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut në përgjigje të interesimit të gazetës "Shqip", verifikuan rastin dhe thanë se është fjala për shtetasin Agron Mema.
E ndërsa karabinierët kanë kontrolluar në arkivat e tyre për emigrantin dhe pretendimin e tij, kanë zbuluar se denoncuesi nga Shqipëria ishte në kërkim nga Interpol Tirana. Menjëherë ata e kanë prangosur 40-vjeçarin nga Durrësi, i cili ka mbetur i shokuar nga këto zhvillime të befta dhe vendimtare për jetën e tij. Karabinierët e kanë sqaruar se ai ishte në kërkim, pasi Gjykata e Apelit në Durrës e kishte dënuar me pesë vjet burg për ngjarjen e ndodhur në vitin 1998, kur ai në mbrojtje të mallit kishte qëlluar mbi një hajdut. Megjithëse ka qenë një akt vetëmbrojtjeje në dyqanin e ushqimeve të babait të tij, emigranti, atëherë 30 vjeç, i është nënshtruar gjykimit pa qenë në dijeni. Burimet nga përtej Adriatikut njoftuan se shqiptari është rezident në Bonate Sopra, provincë e Bergamos dhe prej vitesh ishte në kërkim pa e ditur. Pak kohë pasi ai kishte emigruar në Itali, drejtësia kishte vazhduar të funksiononte duke shqyrtuar ngjarjen dhe gjykuar mbi fajësinë e autorit të plagosjes. Aktualisht, emigranti nga Durrësi, ndodhet në burgun e Bergamos, në pritje të ekstradimit.