E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Greva e urisë, vlerë e lirisë



ADI SHKEMBI

Kryeministri Sali Berisha komenton sërish grevën e opozitës, duke e quajtur atë vlerë të demokracisë, por shtoi se nuk do t'ia kishte këshilluar askujt këtë rrugë. Kreu i Qeverisë iu përgjigj interesimit të mediave, në përfundim të ceremonisë në varrezat e "Dëshmorëve të Kombit", me rastin e 5 majit, Ditën e Dëshmorëve, duke theksuar se "është e vërtetë dhe unë për grevën e urisë kam vetëm një koment: në një anë, fakti që protestohet para ndërtesës së Kryeministrisë u bën nder të gjithë atyre që kanë si të para, vlerat e lirisë. Dhe unë dua të garantoj çdo qytetar shqiptar se do të mund të ushtrojë në liri të plotë të drejtat e tij kushtetuese". Por, sipas tij, pavarësisht kësaj greve, qëndrimi i maxhorancës është i palëkundur, në respektim të vendimeve të gjykatave. Berisha tha se grevën e urisë nuk do t'ia këshillojë askujt, por shtoi se do ta respektojë atë. "Natyrisht shpreh ndjeshmërinë time për vuajtjen e deputetëve dhe qytetarëve në grevë, vendim të cilin unë nuk do t'ia kisha këshilluar kurrë, por nuk kam alternativë tjetër, përveç respektimit të tij. Sikundër më duhet të them edhe një herë se, Sali Berisha është Kryeministri i vendit, nuk është as gjykatësi, as prokurori i këtij vendi. Dhe unë nuk mund të marr, nuk mund të imagjinoj të trajtoj vendime gjykatash, apo të marr përsipër funksione prokurorësh", theksoi më tej kreu i Qeverisë. Në të njëjtën kohë, në fjalën për Ditën e Dëshmorëve, Kryeministri vuri sërish theksin e zhvillimi i zgjedhjeve të 28 qershorit sipas standardeve. Sipas tij, ky vit ka shënuar disa ngjarje të rëndësishme për vendin, si dorëzimi i pyetësorit. "Këtë vit ne zhvilluam zgjedhjet më të lira në historinë e vendit, zgjedhje të lira dhe të ndershme; këtë vit ne si komb duhet të ndjehemi krenar sepse 27 qeveritë e vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian vendosën për Shqipërinë dhe shqiptarët, të hapin dyert për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian; këtë vit Komisioni Evropian i dorëzoi Shqipërisë pyetësorin me 2284 pyetje", vijoi më tej Kryeministri. Por teksa komentoi grevën e opozitës, kreu i maxhorancës nuk pranoi të bënte asnjë koment lidhur me deklaratat e dy ditëve më parë të Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule dhe një sërë eurodeputetësh. "Reagimi im është ky që shpreha. Përshëndetje", ishte përgjigjja e Berishës, pasi u pyet nga mediat lidhur me reagimet e dy ditëve më parë. Sipas komisionerit Fule, të dyja palët janë përgjegjëse për moszgjidhjen e krizës në vend, teksa shtoi se kreu i PS-së, Edi Rama ka përgjegjësi për shëndetin e pjesëmarrësve në grevën e urisë.

Aldo Bumçi
"Rama ka ngritur edhe një burg në mes të bulevardit, ku mban shokët e vet. Rama, në hakmarrje kërkon pushtet me dhunë. Objektivi i tij i parë është bllokimi i heqjes së vizave. Në betim të baballarëve të tyre, që mbajtën Shqipërinë e izoluar, Rama me burgun që ka ngritur në mes të rrugës, synon marrjen e pushtetit, me përplasje, me dhunë. Rama në amanet të baballarëve, ka prioritet bllokimin e heqjes së vizave, izolimin e Shqipërisë".

Albana Vokshi
"Zoti Rama, je i vetmi njeri në botë, por edhe si kryetar Partie, që fut në grevë urie nëna me fëmijë. z. Rama, nënat me fëmijë nuk futen në grevë urie. A mendon ti z. Rama, qoftë edhe një herë të vetme, qoftë edhe një çast, çfarë drame përjetojnë fëmijët e këtyre nënave? Ti z. Rama nuk mund të kuptosh çfarë do të thotë përkujdesja dhe përgjegjësia për fëmijët. Vetëm ne nënat e dimë. Z. Rama mos i detyro nënat të thonë atë që nuk ndjejnë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›