E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, Berisha: Kemi shkurtuar 20% buxhetin, do rritim pagat e pensionet



Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar dje që të fillohet nga puna për përcaktimin saktë të rritjes së pagave dhe pensioneve sipas parashikimit duke rikonfirmuar kështu edhe një herë qëndrimin "pro" kësaj nisme. Gjatë mbledhjes së Qeverisë kreu i ekzekutivit shpjegoi edhe mënyrën se si do të procedohet. "Rritje më të mëdha do të pësojnë rrogat e ulëta dhe pensionet e ulëta. Rritja më e vogël do të jetë për rrogat e larta. Pagat e zyrtarëve më të lartë do të rriten aq sa është inflacioni ose 1 për qind më shumë, pasi ky është rregulli", tha Berisha. Ai garantoi se janë siguruar fondet që do të përdoren për realizimin e këtij premtimi paraelektoral të maxhorancës. Një nga këto burime është ulja e shpenzimeve për makinat e zyrtarëve. "Një shofer i kushtonte vendit sa një ministër, mbi 19.500 dollarë në vit, pra, kjo rrudhje e madhe që bëmë nga rreth 3000 shoferë në 31, bëri të mundur të kursehen pothuaj i tërë fondi i rritjes së rrogave dhe pensioneve", tha ai. Ndërkohë që është vepruar me një disiplinim të fortë të përdorimit të buxhetit. "Ne kemi ngrirë si Qeveri, si administratë 20 për qind të buxhetit që dërguam në Parlament, përveçse për institucionet e pavarura, të cilave nuk u është ngrirë asnjë qindarkë", u shpreh kreu i ekzekutivit. Ai nuk dha përqindje të sakta për rritjen e pagave dhe pensioneve, por ministri Bode në një deklaratë të disa kohëve më parë përcaktoi se pagat do të kenë një rritje 4 % për ato që konsiderohen të larta dhe 10% për ato të ulëta. Rritja e pensioneve do të variojë nga 7 % për ato të larta në 10% për ato të ulëta kurse pensioni i fshatit do të rritet me 15%.

rritja

Pagat e ulta 10%
Pagat e larta 4%
Zyrtarët e lartë 1%
Pensionet e lartë 7%
Pensionet e ulët 10%
Pensionet fshat 15 %

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›