Berisha-Hamiti: “E rëndësishme është shtrirja sa më parë e misionit të EULEX-it”
Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me një delegacion të Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Sabri Hamiti. Hamiti e njohu kryeministrin Berisha me ecurinë e veprimtarisë së Parlamentit të Kosovës, duke theksuar faktin se mes forcave të ndryshme politike ka bashkëpunim dhe mirëkuptim në marrjen e vendimeve më të rëndësishme për vendin. Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit, përsa i përket planit të OKB-së, kryeministri Berisha nënvizoi se qeveria shqiptare po ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet. Ai theksoi domosdoshmërinë e unitetit të liderëve kosovarë për çështje të tilla të rëndësishme, si dhe vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të dhe BE-në. Ndër të tjera, kryeministri Berisha u shpreh se një rëndësi të veçantë ka shtrirja e misionit të EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës, si një zhvillim tërësisht pozitiv, që u shërben paqes dhe stabilitetit. Më tej kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me ecurinë e reformave të gjithanshme në Shqipëri, si dhe me përpjekjet e saj për të konsoliduar me sukses proceset integruese në NATO dhe BE. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare do të jetë gjithnjë e pranishme me mbështetjen dhe përkrahjen që do t’u ofrojë institucioneve të Kosovës, në rrugën e tyre drejt forcimit dhe konsolidimit të mëtejshëm. Delegacioni i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Kosovës u prit dje në një takim të veçantë dhe nga ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, i cili theksoi mbështetjen e qeverisë dhe të diplomacisë shqiptare për shtetin e ri të Kosovës.
28 Nentor 2008